Mazhorancë-opozitë, debat në Kuvend për zgjedhjet dhe kartat
Anëtarësimi në NATO ishte epiqendra e fjalimeve të deputetëve të seancën e djeshme, por opozita me anë të interpretimeve të saj, lëshoi akuza se procesi zgjedhor mund të cenohet për shkak të kartave të identitetit. Nga ana e saj mazhoranca deklaroi se opozita duhet të pranojë realitetin dhe se qeveria ka garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Një vend anëtar i NATO-s nuk mund të neglizhojë standardet e demokracisë, ku më kryesoret janë zgjedhjet e lira, të cilat janë në rrezik pa pajisjen e qytetarëve me karta identiteti. Fakti që ka qytetarë të shtresës së varfër që nuk kanë mundësi të marrin karta, ky është privim nga e drejta e votimit. I kërkojmë qeverisë të plotësojë detyrimet për të ofruar shërbime të përballueshme”, - tha kryetarja e grupit të PS-së, Valentina Leskaj. Kundërpërgjigja ishte e menjëhershme nga mazhoranca. Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, kryetarja e Kuvendit, Topalli, deputetët Paloka e Xhaferri deklaruan se deklaratat e opozitës janë të pabaza. Patozi tha në fjalën e tij se pretendimet e opozitës janë në fakt mjerimi i saj, që sipas tij, vijnë nga një xhelozi politike për festimet e organizuara ditën e diel pasdite. “I fundit që uroi hyrjen tonë në NATO, me një xhelozi të ulët politike, kërkoi ta festonte një ditë para të gjithë shqiptarëve. Kontrasti mes festimeve në dy ditë të ndryshme është kontrasti mes mazhorancës dhe opozitës. Kjo e fundit përfaqësohet nga një njeri i dështuar, që po vajton që tani për zgjedhjet e ardhshme”, - tha Patozi. Në fjalën e tij ai garantoi në emër të mazhorancës se zgjedhjet nuk do të cenohen. “Ne jemi të vendosur të zhvillojmë zgjedhje të lira e të ndershme. Kryetari i PS-së nuk mund të ndalë vullnetin dhe entuziazmin e qytetarëve në rrugën e reformave”, - deklaroi Patozi.