Topi, mesazh Obamas: Ju presim në Shqipëri
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i dërgoi dje një mesazh Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, në të cilin shpreh falënderimet e mirënjohjen për SHBA-të si dhe e ftoi zyrtarisht për të vizituar vendin tonë. “Më lejoni, Zoti President, që, në emër të popullit shqiptar dhe timin personal, t’Ju shpreh falënderimet më të sinqerta dhe mirënjohjen më të thellë për kontributin e jashtëzakonshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancë e në të njëjtën kohë t’Ju siguroj se Shqipëria, brenda familjes së saj të re, do të sillet si e barabartë dhe e denjë për të dhënë kontributin e saj në sfidat e reja për liri, demokraci e siguri rajonale e globale”, - thuhet në mesazhin falënderues të Topit. Më pas, kreu i shtetit shqiptar shkruan se populli shqiptar do të mirëpriste një vizitë të tij në Shqipëri. “Duke Ju përsëritur edhe një herë ftesën time, në emër të të gjithë popullit shqiptar, për të vizituar Shqipërinë, dëshiroj t’Ju siguroj, President Obama, se angazhimi i diplomacisë, i burimeve civile të Shqipërisë dhe i Forcave tona të Armatosura, përvoja e të cilave është shumë serioze, do të vihen në shërbim të përballjes së përbashkët, si në planin dypalësh, ashtu edhe në atë global, për të ndërtuar një botë më të mirë për kombet, civilizimet dhe të ardhmen e tyre”, - thotë Topi në mesazh.