E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehet ligji i dosjeve, ekspert çek për amendimin e ligjit



Ligji i lustracionit, i njohur rëndom si ligji i dosjeve, do të riformulohet. Pavarësisht se ligji është në pritje të një vendimi nga Gjykata Kushtetuese për të marrë një vendim në rast se do të zbatohet ose jo, nga ana e mazhorancës nuk do të ketë kthim prapa. Gjykata Kushtetuese ka pezulluar zbatimin e ligjit, duke paralajmëruar me këtë se ligji nuk do të zbatohet. Por pritet të ketë një përgjigje ndaj këtij vendimi të Kushtetueses, amendimi i ligjit. Kësaj here, nuk do të jetë ndonjë shqiptar që do të formulojë ligjin, por një ekspert çek, i cili do të propozojë të gjitha nenet që priten të rrëzohen nga Gjykata Kushtuese në një formë tjetër që nuk bie ndesh me Kushtetutën. Ligji i marrë nga përvoja çeke, do të riformulohet nga një ekspert çek, që është marrë me të njëjtën detyrë në vendin e tij.

Ky lajm nuk vjen nga dyert e mbyllura, por vetë parlamentarët çekë e kanë bërë të ditur një gjë të tillë. Tirana zyrtare është vizituar dje nga kryetari i Komisionit të Ligjeve të Çekisë, Marek Benda, i cili është takuar me homologët e tij në Shqipëri, njëkohësisht edhe me kryetaren e Kuvenditk Jozefina Topalli. Në takimet dypalëshe, ku ka qenë edhe ambasadorja çeke në Tiranë, është diskutuar në lidhje me ligjin shqiptaro-çek që u miratua nga shumica e deputetëve. I informuar se ky ligj pritet të rrëzohet nga Gjykata Kushtetuese, parlamentari çek, Benda, premtoi se në Shqipëri do të vijë një ekspert çek për të riformuluar ligjin dhe për të bërë amendamentet përkatëse. Duke folur dje për mediat, ai tha se ligji duhet të vihet në zbatim vetëm në momentin kur të mos ketë përplasje me Kushtetutën. “Është e rëndësishme që të gjitha vendet ish- komuniste të ndahen nga e kaluara. Kur ne miratuam fillimisht ligjin tonë të lustracionit, pati kontestime të forta nga ndërkombëtaret, sepse ata nuk e kuptonin. Ne do të sjellim një ekspert tonin për të zgjidhur problemet tekniko- juridike që ka ligji. Kur të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën, atëherë mund ta vini në zbatim”, - tha Benda.

Amendimi i këtij ligji pritej të ndodhte, pasi një gjë të tillë e ka kërkuar edhe Kryeministri Sali Berisha. Në një mbledhje të disa kohëve më parë të grupit parlamentar të PD-së, Berisha e cilësoi si të papranueshme vendimin e Gjykatës për pezullimin e zbatimit si dhe paralajmëroi duke thënë se krimet e komunizmit do të dënohen.

Çekia, e cila mban presidencën e radhës në BE, ka bërë të ditur zyrtarisht se ligji i lustracionit është i domosdoshëm, por duhet hartuar në një formë që nuk prek ligjet. “Ligji vlen. Nëse Shqipëria vendos që ta zbatojë atë, unë, Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës jemi të përgatitur t’i japim këshillën e nevojshme që ky ligj të ketë formë sa më të përshtatshme. E imagjinoj në këtë mënyrë. Është një interes i mbrojtur dhe kjo është mbrojtja e demokracisë, pastaj gjykohet forca e kësaj mbrojtjeje. Por forma dhe fuqia e saj kërkon kohën e nevojshme”, - është shprehur më parë ambasadorja çeke. Kryetari i Komisionit të Ligjeve të Çekisë, Marek Benda, do të takohet sot në mesditë me Presidentin Topi, ku një nga temat e diskutimit do të jetë edhe ligji i dosjeve. Sipas ligjit shqiptar, subjekt i verifikimit janë të gjithë funksionarët publikë, të zgjedhur apo të emëruar, të cilët aktualisht ushtrojnë apo do të ushtrojnë një nga funksionet e mëposhtme si: Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe të dekretuarit nga Presidenti i Republikës, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, si dhe të zgjedhurit nga Kuvendi. Ligji ka si qëllim kontrollimin e figurës së çdo funksionari politik të zgjedhur apo të emëruar, lidhur me pjesëmarrjen e tyre në strukturat politikëbërëse dhe zbatuese të dhunës së diktaturës, si dhe strukturat e Sigurimit të Shtetit për periudhën 29 nëntor 1944 deri më 8 dhjetor 1990.

Parlamentari çek: Mos vononi aplikimin, e presim brenda qershorit

Arsyeja kryesore e ardhjes në Tiranë të kryetarit të Komisionit të Ligjeve të Çekisë, Marek Benda, ishte diskutimi me palën shqiptare për sa i përket aplikimit të Shqipërisë si vend kandidat në Bashkimin Evropian. Kreu i ligjeve në Parlamentin çek bëri thirrje se aplikimi nuk duhet të vonohet. Sipas tij, pala çeke sheh si mundësi ideale për aplikimin brenda muajit qershor. Sipas kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Benda, në asnjë mënyrë aplikimi nuk duhet shtyrë përtej muajit qershor. “Meqenëse kemi dhe presidencën e radhës të Bashkimit Evropian, kemi ardhur të bisedojmë me palën shqiptare për aplikimin e statusit të vendit kandidat. Besojmë se koha ideale për të bërë një veprim të tillë do të ishte brenda qershorit, pra brenda presidencës sonë”, - tha Benda. Duket se presidenca çeke është mikpritëse për Shqipërinë, për sa i përket aplikimit të vendit për statusin kandidat. Ndonëse në BE mbizotëron një krizë ekonomike e shoqëruar me skepticizëm, çekët, por edhe shumë vende të tjera, mirëpresin aplikimin e Shqipërisë brenda presidencës çeke, e cila drejton BE-në deri në 30 qershor. Më gjysmën e dytë të vitit 2009, do të jenë suedezët që do të drejtojnë BE-në, të cilët janë shprehur mikpritës me Shqipërinë gjithashtu.

Topalli-Benda, liberalizimi i vizave, në prioritetin shqiptar

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u takua dje me kryetarin e Komisionit të Ligjeve të Çekisë, Marek Benda, me të cilin diskutoi temat kryesore si integrimi i vendit, rritja e marrëdhënieve etj. Por nga ana e saj, kryetarja e Kuvendit tha se në politikën shqiptare, prioritet bazë do të jetë liberalizimi sa më i shpejtë i vizave. “Tashmë në politikën e jashtme prioritare është liberalizimi i vizave, sepse shqiptarët meritojnë të lëvizin të lirë. Energjia dhe optimizmi i qytetarëve shqiptarë, vokacioni i tyre perëndimor kanë shërbyer si motor për ecjen tonë përpara”, - tha Topalli. Duke theksuar ndjesinë dhe afrimitetin e Çekisë me Shqipërinë, si dy vende të ish- bllokut komunist, parlamentari çek, Benda, tha se vendi i tij është për hapjen e portave të Evropës që qytetarët, të rinjtë, djemtë e vajzat të lëvizin të lirë, të mendojnë të lirë. Të dy personalitetet theksuan rritjen e bashkëpunimit ekonomik. Parlamentari çek uroi më tej Topallin për anëtarësimin në NATO. “Pas anëtarësimit në NATO, urojmë që rruga e Shqipërisë drejt BE-së të jetë sa më e shkurtër. NATO nuk është thjesht një organizatë, por është një bashkim shtetesh që jetojnë në paqe e liri e që garantojnë të drejtat dhe liritë e gjithsecilit. Ndaj dhe anëtarësimi i Shqipërisë është një ngjarje e jashtëzakonshme”, - tha Benda.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›