Berisha "ngujohet" në zyrë, po punon për programin e ri
Fundjava ka qenë shumë e ngjeshur për Kryeministrin Berisha. Nga burime pranë Kryeministrisë bëhet e ditur se prej tri ditësh, kreu i qeverisë, së bashku me disa nga këshilltarët e tij më të mirë dhe stafin më të ngushtë, ka nisur punën për hartimin e programit të ri qeverisës, i cili do t‘i paraqitet për miratim Kuvendit në seancën e ditës së hënë pasdite. Kryeministri bëri të ditur se programi do të paraqitet së bashku me emrat e ministrave në Kuvend për të marrë "Ok" e Kuvendit dhe më pas të nisë rrugën e vënies së tij në zbatim. Sipas Kryeministrit, tre janë prioritetet kryesore të qeverisë në këtë mandat katërvjeçar. Së pari, realizimi i reformave të mëdha në fushën e shëndetësisë, një sektor i cili sipas Kryeministrit lë shumë për të dëshiruar dhe si model i realizmit të kësaj është marrë sistemi gjerman. Pika e dytë është lufta kundër kriminalitetit dhe korrupsionit në vend. Së treti, dhe më kryesorja është realizmi i reformave kryesore, të cilat do të lehtësojnë integrimin e Shqipërisë në BE-e, duke filluar nga liberalizmi i vizave brenda vitit të parë të mandatit të dytë qeverisës. Në programin e ri qeverisës nuk do të mbeten jashtë vëmendjes së qeverisë edhe fushat e tjera, si përfundimi i infrastrukturës, rritja e pagave, ulja e varfërisë, përmirësimi i sistemit arsimor në vend, bujqësia, turizmi e shumë zëra, të cilët do të gjejnë hapësirat e duhura.