E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imeraj:Meta flet si Berisha

Partia Socialiste reagoi menjëherë dje pas deklaratave të kreut të LSI-së, Ilir Meta, se PS me grindjet dhe mosmarrëveshjet brenda saj e ka lodhur elektoratin. Zëdhënësja e kësaj partie, Armela Imeraj, në një komunikim me mediat, tha se Meta tanimë flet për llogari të Sali Berishës. "Ilir Meta nuk çudit më askënd me deklaratat e tij kundër PS, sepse tashmë ai flet për llogari të Sali Berishës dhe që të dy, bashkë me Fatos Nanon, duan me çdo kusht ta kthejnë PS në një vegël të qeverisë, duke e futur në Parlamentin e votave të grabitura", tha Imeraj. Sipas saj, Ilir Meta, njeriu që mashtroi 83 mijë zgjedhësit që donin largimin e Kryeministrit të Gërdecit, duhet ta kuptojë ashtu si dhe Sali Berisha, që PS nuk hyn në Parlament pa u garantuar transparenca e zgjedhjeve të papranueshme të 28 qershorit. "Nxitja e diversioneve të konflikteve artificiale për të dobësuar PS nga ana e Sali Berishës, Ilir Metës dhe Fatos Nanos, nuk e ndryshon dot qëndrimin e socialistëve e të të gjithë popullit opozitar ndaj një Parlamenti të marrë peng me manipulime e me korrupsion elektoral", nënvizoi Imeraj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›