Berisha niset drejt Gjermanisë
Kryeministri Berisha u nis dje për një vizitë në Gjermani, me ftesë të fondacionit "Konrad Adenauer", për të marrë pjesë në konferencën me temë "Vitet 1989/1990: era e ndryshimit në Shqipëri". Kreu i qeverisë shqiptare është ftuar të marrë pjesë në samitin e krerëve të shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian, pjesëtarë të grupit të Partive Popullore Evropiane. Kryeministri do të mbajë një kumtesë përpara një audience të gjerë politikanësh, intelektualësh, akademikësh dhe personaliteteve nga fusha e biznesit gjerman e më gjerë. Më pas, Berisha është ftuar në një takim të zgjeruar me përfaqësues të firmave më të mëdha gjermane, në Essen, në Gjermani, ku do të pritet nga Bodo Hombah, anëtar i Kryesisë së Komisionit të Lindjes të Ekonomisë gjermane dhe kryetar i grupit mediatik WAZ. Gjatë këtij takimi, Kryeministri Berisha do të prezantojë reformat dhe arritjet e qeverisë shqiptare në fushën ekonomike.