Delegacioni i Parlamentit Evropian mbërrin në Tiranë
Një delegacion i Parlamentit Evropian i kryesuar nga eurodeputetja Doris Pak do të jetë për një vizitë dyditore në vendin tonë. Bazuar në axhendën e bërë publike nga institucioni i Presidencës, ky delegacion do të takojë sot në mesditë kreun e shtetit, Bamir Topi. Biseda rreth tyre pritet të orientohet rreth zhvillimeve politike në vend të përgatitjeve për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Një tjetër moment ka të bëjë me anëtarësimin me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut të Veriut, hap që vendi ynë pritet të ndërmarrë brenda pak javësh. Palët do të diskutojnë edhe për rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian dhe konkretisht ideja e aplikimit për të fituar statusin e vendit kandidat. Pak ditë më parë, Doris Pak, në një prononcim për mediat në Bruksel i sugjeroi qeverisë shqiptare të mos aplikonte para zgjedhjeve parlamentare. Gjithashtu, sot dhe nesër në ambientet e "Hotel Rogner" nën kujdesin e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, do të zhvillohet takimi i 16-të ndërparlamentar Shqipëri-Parlamenti Evropian. Sipas njoftimit të bërë nga zyra e shtypit të Kuvendit, takimi i çel punimet e sesionit të parë në orën 15.30. Në 15.00 anëtarë të delegacionit të PE-së do të takohen me Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli. Delegacioni i Parlamentit Evropian kryesohet nga Doris Pak, një figurë e njohur për politikën shqiptare. Më pas delegacioni do të zhvillojë takime me Kryeministrin Sali Berisha dhe ministra të tjerë të kabinetit qeveritar.