Leskaj i shpreh shqetësime BERZH-it për shkarkimet në administratë dhe buxhetin elektoral të qeverisë
Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, priti dje në një takim këshilltarin politik të BERZH-it, Oleg Levitin, i cili ndodhet në një vizitë pune në vendin tonë. Në këtë takim Levitin shprehu interes mbi situatën ekonomike e politike në vend, mbi prioritetet politike e ekonomike të programit të Partisë Socialiste, si dhe për efektet e krizës globale në vendin tonë. Leskaj, duke iu përgjigjur interesimit të z. Levitin për buxhetin e shtetit, theksoi shqetësimet e shprehura në vijimësi nga opozita për abuzimin me buxhetin e shtetit, që është kthyer në një buxhet elektoral në funksion të partisë në pushtet, pa u shqetësuar për pasojat e rënda që sjell një politikë e tillë. Një moment i rëndësishëm për të cilin Levitin shprehu shqetësim dhe interes ishte dhe çështja e qëndrueshmërisë së administratës publike. Në përgjigje të këtij interesimi Leskaj nënvizoi faktin se qeveria ka bërë hapa prapa sa i përket administratës publike duke zëvendësuar ekspertët dhe specialistët me operativë politikë. Me interes të veçantë ishte dhe tema e qëndrimit të PS-së lidhur me institucionet financiare ndërkombëtare, posaçërisht FMN e Banka Botërore. Lidhur me këtë temë, Leskaj ripërsëriti qëndrimin e njohur të Partisë Socialiste, sipas të cilit, PS-ja ka qenë kundër largimit të FMN-së nga vendi për një sërë arsyesh, ku më kryesoret ishin kriza globale dhe momenti parazgjedhor kur qeveria vendosi të largojë misionin e FMN-së. Gjatë takimit u diskutua dhe për çështjen e financimit të rrugës Durrës-Kukës dhe qëndrimin e PS-së lidhur me të. Kryetarja e Grupit, Leskaj, ritheksoi rolin e PS-së si nismëtare dhe ideatore të kësaj rruge, duke nënvizuar njëkohësisht dhe shqetësimet e opozitës për abuzimin që po bëhet në emër të “patriotizmit” për të përvetësuar apo shpërdoruar fondet publike.
13 Maj 2009