Berisha njeh Gordon me reformat ne vend dhe nismen per imunitetin
Kryeministri Berisha u takua me Zëvendëssekretarin e Departamentit të Shtetit të SHBA-ve Philip Gordon dhe Zëvendës ndihmës Sekretarin e Shtetit për Evropën Qendrore dhe Jugore, Philip Riker. Në takim u diskutuan zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe ecuria e reformave në të gjitha fushat. Në veçanti zoti Gordon u njoh me punën e bërë për përmbushjen e 12 rekomandimeve të Komisionit Europian, ecurinë pozitive të reformës zgjedhore, por edhe nismën e rëndësishme të deputetëve të koalicionit qeverisës për heqjen e imunitetit për zyrtarët e lartë dhe gjyqtarët, e vlerësuar si një reformë jashtëzakonisht e rëndësishme e thelbësore në luftën kundër korrupsionit.
Kryeministri theksoi se kjo nismë përmbush një angazhim të hershëm të qeverisë së udhëhequr prej tij dhe se ajo është e hapur për mbështetjen më të gjerë nga i gjithë spektri politik. Gjatë takimit zv/sekretari Gordon shfrytëzoi rastin për t'i transmetuar Kryeministrit Berisha urimet dhe përshëndetjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Presidentin e ri të Republikës. Po ashtu ai i përcolli kreut të qeverisë shqiptare përshëndetjet e Sekretares së Shtetit Klinton dhe i rikonfirmoi dëshirën e saj për të vizituar së shpejti Shqipërinë. Zoti Berisha ripërsëriti se shqiptarët do të jenë shumë të lumtur e krenarë ta presin zonjën Klinton, si mike të madhe e të shquar të kombit shqiptar, në këtë vit jubilar e historik të 100 vjetorit të pavarësisë. Kryeministri Berisha po ashtu ftoi dhe Zotin Gordon të vizitojë Shqipërinë, duke e siguruar se është i mirëpritur në çdo kohë. Në takim u diskutua gjithashtu edhe mbi zhvillimet e fundit ne rajon. Kryeministri ndodhet në Dubrovnik për të marrë pjesë në Samitin e kryetarëve të qeverive dhe personaliteteve në fushën e vendimmarrjes dhe opinionbërjes nga Europa Juglindore, BE, SHBA dhe Mesdheu, me temë "Shtet-ndërtimi dhe eksperienca europiane", që po zhvillohet gatë kësaj fundjave.