Zbardhet vendimi per pedagogun Kllogjeri

Gjykata e Elbasanit ka dhënë masën e sigurisë së arrestit në shtëpi për pedagogun e matematikës së universitetit “Aleksandër Xhuvani”, Pëllumb Kllogjeri. Fillimisht, prokurori i çështjes, Alfred Shehu ka lexuar akuzën me të cilën janë njohur palët dhe ka kërkuar masën e sigurisë së arrestit me burg. Më pas është pyetur pedagogu i cili ka deklaruar se është i pafajshëm në të gjithë këtë histori. Avokati mbrojtës Altin Ago ka thënë se nuk ekzistojnë prova të dhënies së parave në dorë gjë që sipas tij nuk del as edhe nga investigimet dhe se gjithçka mund të ketë qenë një inskenim i kryer qëllimisht për të denigruar pedagogun. Ndërkohë edhe rektorati i UE ka pezulluar nga detyra pedagogun e matematikës dhe do të ashpërsojë qëndrimin deri në pushim nga puna nëse provohet fajësia nga gjykata. Në të kundërt Pëllumb Kllogjeri do të kthehet sërish në detyrë.