E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpenzimet e Shëndetësisë rrezikojnë fondin për shpërblimet e mjekëve

Mjekët, “frikë” për shpërblimet që duhet të marrin në fund të vitit. Pritet udhëzimi për shpërndarjen e masës së shpërblimit

Emanuela Sako

Mjekët ndihen të “frikësuar” për marrjen e shpërblimit në fund të këtij viti. Shkak për këtë janë bërë shpenzimet e shumta në të gjitha spitalet apo qendrat spitalore për shkak të krizës që përfshiu sistemin shëndetësor. E gjithë kjo situatë duket se rrezikon fondet e përcaktuara në çdo institucion shëndetësor. Burime nga Ministria e Shëndetësisë bëjnë të ditur se ende nuk është hartuar një udhëzim përfundimtar që do të vendosë masën e shpërblimit të mjekëve në të gjitha spitalet apo qendrat shëndetësore të vendit. Ndërkohë që Drejtoria e QSUT-së sqaroi se gjithçka ngelet të përcaktohet nga Ministria e Shëndetësisë nëpërmjet udhëzimit përkatës. Por mjekët janë në dilemë për masën e përfitimit të shpërblimit, pasi kriza që ka përfshirë këtë vit Shëndetësinë duket se do ta shtrijë ndikimin e saj edhe në shpërblimet e fundvitit. Mungesat e shumta në spitale dhe shpenzimi i fondit të akorduar për mbulimin e tyre do të ketë ndikimin e vet në përcaktimin e pagës së shpërblimit për festa.
Deklarata
Ministria e Shëndetësisë, lidhur me këtë çështje, deklaroi se institucionet shëndetësore do të marrin shpërblimin në masën 5 për qind të fondit të akorduar. Ndërsa mjekët shprehen se nuk janë njohur ende me një vendim zyrtar, por u është thënë se do të marrin shpërblimin prej 10 mijë lekësh. Ndërkohë që nuk dihet nëse do të praktikohet mënyra e shpërblimit sipas punës së kryer nga mjekët, e cila ndahet në disa nivele. Nga praktika e vitit të kaluar bluzat e bardha në të gjitha qendrat shëndetësore në vend janë shpërblyer nga ISKSH-ja sipas punës cilësore apo të dobët që kanë bërë mjekët gjatë gjithë vitit. Ndërsa drejtuesit e poliklinikave shprehen skeptikë për këtë vit, pasi nuk kanë marrë asnjë informacion për mënyrën e shpërblimit, ndërsa e njohin mirë situatën dhe fondet që kanë për ta përballuar këtë kuotë. Aktualisht ISKSH-ja është duke mbledhur të dhënat për çdo qendër shëndetësore dhe më pas do të japë një përgjigje përfundimtare për këtë çështje. E vetmja e dhënë që dihet deri tani me siguri është përfitimi i bonusit prej 10 mijë lekësh i akorduar nga qeveria. Përsa u përket mjekëve në QSUT tashmë do të pritet një përgjigje si nga Ministria e Shëndetësisë, ashtu dhe nga Drejtoria e QSUT-së. Vitin e kaluar përfituan 9300 punonjës të poliklinikave dhe të qendrave shëndetësore në rrethe, ku 30 mijë lekë shpërblim u dhanë për mjekët e poliklinikave, ndërsa me 10 mijë lekë u shpërblye personeli i mesëm, infermieret dhe sanitaret.
Shpërblimi
Shpërblimi i akorduar për festat e fundvitit pritet që të bëhet sipas vlerësimit për punën e kryer gjatë gjithë vitit. Vlerësimi i punonjësve bëhet nga drejtoritë përkatëse në institucione. Për të gjitha shkallët shpërblimet janë: Niveli 1, “Shumë mirë” një pagë mujore; Niveli 2, “Mirë” 70 për qind të pagës mujore; Niveli 3, “Kënaqshëm” 50 për qind të pagës mujore. Punonjësit, mbarëvajtja e të cilëve është vlerësuar me nivelin “Jo mjaftueshëm” (niveli 4), nuk marrin shpërblim. Normalisht, vlerësimi kryhet nga eprori i drejtpërdrejtë, por në raste të veçanta mund të zbatohen procedura të tjera. Për rastet e veçanta procedura vendoset nga bashkëpunimi i njësisë përgjegjëse për menaxhimin e burimeve njerëzore të institucionit përkatës dhe Departamentit të Administratës Publike.

10 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›