E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Qeveria, e zhytur në korrupsion galopant



Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar në Ditën Ndërkombëtare të Luftës kundër Korrupsionit, duke shtuar edhe ajo dozat e akuzave në drejtim të qeverisë për favorizim dhe implikim në këtë fenomen. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, tha se fenomeni i korrupsionit po gërryen shoqërinë shqiptare, duke rënduar në mënyrë të skajshme varfërinë, ekonominë kombëtare dhe stabilitetin e vendit. Vasili tha se korrupsioni galopant i kësaj qeverie ka në themel të tij korrupsionin me votën dhe zgjedhjet e lira. “Është pra një korrupsion i mbështetur nga institucione të krijuara mbi korrupsionin elektoral, pra çdo tentativë e mazhorancës për të folur për luftën ndaj tij është thjesht një demagogji. Lufta ndaj korrupsionit është lufta e humbur e kësaj maxhorance, sepse kjo maxhorancë lindi mbi Megadushkun dhe si e tillë ishte edhe vetë një produkt i korrupsionit elektoral”, - tha Vasili. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së deklaroi se korrupsioni ka përfshirë gjerësisht administratën e pushtetit qendror dhe atë lokal. “Korrupsioni ka goditur rëndë shpresën e shqiptarëve për një vullnet politik, që do të ndikonte në luftën ndaj këtij fenomeni”, - vijoi sekretari i Përgjithshëm i LSI-së. Ai akuzoi qeverinë se vetëm ka aplikuar demagogji në luftën kundër korrupsionit, ndërkohë që implikimi i saj në këtë fenomen solli edhe tragjedinë e tmerrshme të Gërdecit. “Lufta mediatike demagogjike antikorrupsion pa një strategji të qartë dhe instrumente ligjore transparente ka si qëllim të vetëm mashtrimin e opinionit publik për të vazhduar të papenalizuar në rrugën e thellimit të tij për përfitime personale abuzive marramendëse. LSI vlerëson se kjo maxhorancë kultivuese, pjesëmarrëse dhe mbështetëse e aferave korruptive, që prodhuan edhe shpërthimin tragjik korruptiv të Gërdecit, që nuk ngurron t’i bëjë presion të hapur drejtësisë për ta penguar në luftën ndaj tij, nuk ka më as moralin dhe as të drejtën të flasë për gjoja luftën e saj demagogjike e mediatike ndaj korrupsionit, sepse faktet flasin vetë dhe janë në sytë e të gjithë shqiptarëve”, - tha Vasili.

10 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›