E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festat e fundvitit, sa shpërblim do të marrin mësuesit



Jonida Tashi

Shpërdorimi i fondeve gjatë vitit shkollor pritet t’u rrezikojë mësuesve përfitimin e rrogës shtesë gjatë fundvitit. Nëse gjatë vitit shkollor shkollat kanë kryer shpërdorim fondesh, mësuesit nuk do ta marrin rrogën shtesë, por do të mjaftohen vetëm me 10 mijë lekëshin. Ky shpërblim jepet nga qeveria për të gjithë punonjësit buxhetorë me rastin e festave të fundvitit. Heqja e rrogës shtesë për mësuesit është një ndëshkim që do t’u bëhet vetëm shkollave që kanë abuzuar me fondet, pasi ato që janë treguar të kursyera do të marrin edhe shpërblimin për vlerësimin në punë. Ky shpërblim është sa 5 për qind e fondit që ka çdo shkollë. Kështu, nëse shkollat kanë kryer shpenzime më të larta nga ato që janë parashikuar, pasojat do t’u duhet që t’i vuajnë mësuesit. Pavarësisht se puna e këtyre mësuesve gjatë vitit shkollor është vlerësuar pozitivisht, ata nuk do të mundin që ta marrin pagën e 13-të, por do të përfitojnë vetëm shpërblimin prej 10 mijë lekësh, që pritet të miratojë Këshilli i Ministrave me rastin e fundvitit.
Udhëzimi
Megjithëse hartimi i udhëzimit për shpërblimin e mësuesve gjatë fundit të këtij viti nuk ka nisur ende, burime nga Ministria e Arsimit bëjnë të ditur se ky udhëzim pritet të dalë brenda kësaj jave. Po sipas burimeve nga dikasteri i Arsimit, udhëzimi që do të publikohet së shpejti do të përcaktojë përfundimisht se sa shpërblim do të marrin mësuesit e sistemit parauniversitar dhe si do të realizohet shpërndarja e tij. Aktualisht, të gjitha drejtoritë arsimore në vend kanë përfunduar vlerësimin e punës së çdo mësuesi. Ndërsa Ministria e Arsimit, duke u bazuar mbi të dhënat e drejtorive, ka hartuar propozimet përkatëse për masën e shpërblimit. Gjatë këtij viti, 44 mijë mësues në vend pritet të shpërblehen për vështirësinë e punës. Ndërsa institutet, akademitë, shërbimet e ndryshme që funksionojnë si struktura të të gjitha ministrive, apo të ndara më vete, por që janë institucione shtetërore, do të përfitojnë shpërblim për festat e fundvitit. Shpërblimi i qeverisë për këto institucione do të jetë i njëjtë si për të gjithë punonjësit e administratës, 10 mijë lekë. Njëkohësisht do të jenë drejtuesit ata që do të vendosin nëse punonjës të ndryshëm, të ndarë sipas kategorive apo funksioneve, duhet të marrim pagë shtesë. Nga ky vendim përjashtohen të gjithë punonjësit buxhetorë në varësi të pushtetit lokal. Për këta punonjës vendimi për masën e shpërblimeve merret nga drejtuesit e bashkive. Këta të fundit përcaktojnë në bazë të buxhetit të tyre se sa do të jenë shpërblimet për festat e fundvitit.
Shpërndarja
Dhënia e shpërblimeve bëhet në një pagesë të vetme, gjatë muajit dhjetor, pasi është mbyllur viti i vlerësimit dhe është bërë vlerësimi i mbarëvajtjes. Shpërblimi llogaritet në bazë të pagës totale që ka marrë individi gjatë vitit të vlerësimit. Rrjedhimisht, personat që janë emëruar ose ngritur në detyrë gjatë vitit të vlerësimit do të marrin një shpërblim që reflekton periudhën e tyre të punës, në rast të emërimeve të reja dhe të pagave të niveleve të ndryshme që ka marrë në rastet e ngritjeve në detyrë. Nëpunësit që pushohen nga puna para fundit të tetorit nuk përfshihen në shpërblimet për mbarëvajtjen në punë. Ata nëpunës që dalin në pension, që japin dorëheqje, transferohen në një strukturë tjetër të administratës shtetërore, ose kalojnë në listë pritjeje, marrin shpërblim. Nëse në fund të vitit të vlerësimit fondi i shpërblimeve nuk konsumohet plotësisht, për shkak të vlerësimeve “Jo mjaftueshëm” të mbarëvajtjes në punë, sekretari i Përgjithshëm mund të autorizojë një rritje të masës së shpërblimeve për punonjësit e vlerësuar me nivelet nga 1 deri në 3, brenda fondit të përcaktuar. Shpërblimi i punonjësve të administratës është i përcaktuar në fondin e pagave dhe ajo do të shpërndahet nga të gjitha institucionet sipas përcaktimit që ka.

10 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›