E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Berisha nuk mbajti premtimet për këtë qytet”

08/06/2009  Fushata elektorale, Ruçi në Lushnjë

Kandidatët për deputetë të Partisë Socialiste vijojnë takimet e tyre elektorale, ku veç prezantimit të programit të ri qeverisës nuk harrojnë të shigjetojnë ashpër dhe qeverinë “Berisha”. Kështu, kandidati për deputet në qarkun e Fierit Gramoz Ruçi është takuar me banorë të një lagjeje të qytetit të Lushnjës, në kuadër të prezantimit të programit të ri qeverisës, ku ka shigjetuar Kryeministrin Berisha si fajtorin kryesor për gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodhen qytetet e Shqipërisë. Sipas tij, në vend ka mungesë të madhe punësimi për njerëzit, por gjithashtu ende në vitin 2009 nuk ka ujë e drita 24 orë. Madje, në gjykimin e kandidatit për deputetë të PS-së për Qarkun e Fierit skandalet e Berishës dhe nepotizmi janë tashmë të qarta për të gjithë shqiptarët, ndaj më 28 qershor shqiptarët duhet të votojnë për Partinë Socialiste, për të ndryshuar jetët e tyre. Ndërkohë ai nuk harroi të evidentojë premtimet e pambajtura të qeverisë “Berisha”. “Pikërisht në këtë shesh u premtua 24 orë ujë në Lushnjë, dhe përsëri dështoi. Pikërisht në këtë shesh u premtua një gjimnaz i ri, por nuk u vendos asnjë tullë. Përsëri në këtë shesh u premtua certifikata për pronën dhe sot rrethi i Lushnjës ka 2500 familje pa certifikatën e pronës”, - vuri në dukje Ruçi gjatë këtij takimi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›