E Shtunë, 31 Tetor 2026

Demokratët 9 pikë para socialistëve

08/06/2009  Dy organizata shqiptare parashikojnë zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit

Sondazhi “Puls” me mbështetjen e USAID-it dhe ambasadës britanike

Sondazhi i realizuar nga dy organizata jofitimprurëse, Qendra për Kërkim dhe Zhvillim dhe Instituti për Studime Publike e Ligjore, flet për një fitore të Partisë Demokratike në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit. Sipas rezultateve të këtij sondazhi, zhvilluar në periudhën 7 maj deri më 20 maj, PD-ja mban një diferencë prej 9 për qind të votave ndaj forcës kryesore politike rivale, Partisë Socialiste. Sipas të dhënave të këtij sondazhi, 43 për qind e zgjedhësve do të votojnë për demokratët, ndërsa 34 për qind për socialistët. Përgjegjësit e anketimit flasin për një kufi gabimi në kufijtë 3 për qind. Në rezultatet e këtij sondazhi vlerësohet se 90 për qind e zgjedhësve do të shkojnë në votime, ndërsa 8 për qind shprehen të lëkundur nëse do të votojnë apo jo, duke argumentuar këtë qëndrim me faktin se nuk kanë besim te forcat politike shqiptare. Në njoftimit për shtyp thuhet se 12 për qind e shqiptarëve që duan të votojnë nuk janë të sigurt se cilën parti do të mbështesin, ndërsa 6 për qind e votuesve potencialë për një nga partitë e tjera. Duke iu referuar përfundimeve të sondazhit, rezulton se asnjë nga partitë e tjera të vogla nuk siguron numër të mjaftueshëm votuesish potencialë që do të mund të matej nga anketimi. Sondazhi i përgatitur nga dy organizatat shqiptare tregon se 12 për qind e shqiptarëve që duan të votojnë tregojnë se do të votojnë për një parti të ndryshme nga ajo për të cilën kanë votuar në vitin 2005. Qendra për Kërkim dhe Zhvillim dhe Instituti për Studime Publike e Ligjore në sondazhin e tyre janë përqendruar edhe në çështjen e pajisjes që zgjedhësve me kartat e reja të identitetit. Sipas rezultateve të sondazhit shihet se 33 për qind e zgjedhësve në nivel kombëtar që dëshirojnë të votojnë, pohojnë se ende nuk zotërojnë dokument identifikimi të vlefshëm për votim. Nga votuesit potencialë pa dokument identifikimi të përzgjedhur, 97 për qind e tyre tregojnë se janë duke pritur kartat e reja të identifikimit. Ndërkohë pjesa tjetër prej 3 për qind rezulton se është në pritje të formave të tjera identifikimi të vlefshme ose jo. Përgjegjësit bëjnë me dije se në këtë pikë kufiri i gabimit llogaritet në rreth 6 për qind. Duke u përqendruar te zgjedhësit që nuk janë të pajisur me karta të reja të identitetit, sondazhi tregon se 42 për qind e tyre do të votojnë për Partinë Demokratike dhe 32 për qind për Partinë Socialiste. Kështu, po të merret në konsideratë edhe kjo kategori votuesish, atëherë diferenca mes demokratëve dhe socialisteve do të ishte diçka më e thellë në favor të partisë më të madhe të spektrit të djathtë të politikës shqiptare.

Financat dhe teknika

Sondazhi i titulluar “Puls” është ndërmarrë nga Qendra për Kërkim dhe Zhvillim dhe Instituti për Studime Publike e Ligjore me mbështetjen e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtare (USAID) dhe të ambasadës së Britanisë së Madhe në Tiranë. Ky sondazh u mbështet teknikisht nga kompania “D3 Sistems” me seli në Virxhinia, SHBA, e specializuar në punën më shoqëritë në tranzicion. Përmbajtja e anketës është përgjegjësi e QKZH-së dhe ISPL-së, nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet qeverisë amerikane dhe britanike.

Metodologjia

Për realizimin e këtij sondazhi u punua me intervistim ballë për ballë me të anketuarin. Kampioni është një kampion kombëtar përfaqësuesish prej 997 zgjedhësish shqiptarë të moshës mbi 18 vjeç në mënyrë rastësore. Sondazhi u realizua midis datave 7 dhe 20 maj të këtij viti. Kufiri i gabimit është prej +/- 3 për qind në nivelin e pritjes prej 95 për qind. Qëllimi i sondazhit është të informohet debati politik gjatë kësaj kohe për çështjet më kryesore që i shqetësojnë votuesit shqiptarë. Anketa është një seri intervistimesh të bëra në harkun kohor të procesit të zgjedhjeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›