E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patozi: Do të jenë pjesë e rëndësishme e fushatës

08/06/2009  PD takime me ish-drejtuesit dhe deputetët e saj në vite, Vlora e para

“Një parti që nuk vlerëson figurat, nuk është serioze”

Partia Demokratike e ka bërë pjesë të fushatës së saj elektorale takimin me ata që kanë dhënë kontribut ndër vite pranë kësaj force politike, por që me vite janë lënë jashtë vëmendjes. Dega e PD-së për rrethin e Vlorës mblodhi sot në një takim deputetët dhe drejtuesit e saj në vite. Kandidati për deputet i kësaj force politike për Qarkun e Vlorës Astrit Patozi u shpreh se "Partia Demokratike ka vlerësuar dhe vlerëson të gjithë ata që e kanë drejtuar dhe përfaqësuar atë në mënyrë dinjitoze. Një parti që nuk vlerëson ish-drejtuesit dhe përfaqësuesit e saj, nuk është një forcë politike serioze", - nënvizoi Patozi, duke hedhur kështu dhe një akuzë për Ramën, i cili e ka shfaqur si pjesë të politikës së re mosnjohjen e kontributit të figurave historike të kësaj partie. Sipas Patozit, "të respektosh traditën, do të thotë të respektosh të tashmen dhe të ardhmen, prandaj Partia Demokratike ka nevojë për kontributin e atyre që e kanë drejtuar dhe përfaqësuar. Ne jemi krenarë për historinë tonë, veçanërisht për 4 vjetët e fundit, që janë më të suksesshmit, kur u bënë aq sa kanë bërë të gjitha qeveritë e tjera të marra së bashku në këta 18 vjet", - tha ai Në këtë arsyetim ai nënvizoi se opozita aktuale nuk meriton respekt edhe për mënyrën se si ajo vlerëson historinë dhe të shkuarën e vet. Ai kërkoi mbështetjen, bashkëpunimin dhe konsulencën e të pranishmëve, të cilët, sipas tij, do të jenë pjesë e rëndësishme e fushatës për zgjedhjet e 28 qershorit. Gëzim Zilja, ish-deputet dhe ish-kryetar i Bashkisë së Vlorës për periudhën 1996–1997, nënvizoi se, sikurse edhe kolegët e tjerë, e ka ndier veten përherë pjesë aktive të PD-së, ndërkohë që shprehu gatishmërinë për të punuar pa reshtur për fitoren në zgjedhjet e 28 qershorit. Në takim folën edhe ish-drejtues apo ish-deputetë në vite të PD-së për Vlorën, mes të cilëve Agron Sharra, Roland Tafili, Esat Hasani, Ismet Mersini, Adhurim Musaraj, Agron Shehu, të cilët e cilësuan takimin e djeshëm si pjesë të mentalitetit të kësaj force politike në funksion të evidentimit të vlerave, për t’i bërë ata një faktor të rëndësishëm në fushatën elektorale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›