Berisha nuk merr pjesë në darkën me krerët e Aleancës
Kryeministri, Sali Berisha, nuk ka qenë në darkën e punës që është shtruar mbrëmë nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer.
Në axhendën e samitit ishte parashikuar mbërritja e krerëve të shteteve dhe qeverive në orën 18.00. Më pas për ta është organizuar një koncert dhe rreth orës 20.15 ka nisur dhe darka e punës me krerët e lartë.
Në darkë ka qenë i pranishëm presidenti shqiptar, Bamir Topi, ndërsa për Kroacinë kanë qenë kryeministri, Ivo Sanader, dhe presidenti, Stipe Mesiç. Në tryezë kanë qenë kancelaria gjermane, presidenti francez, ai amerikan dhe të gjitha drejtuesit e delegacioneve. Nga ana tjetër, dy tryeza të tjera janë shtruar, njëra për ministrat e Jashtëm të vendeve të NATO-s dhe një për ministrat e Mbrojtjes. Kryeministri shqiptar, sipas protokollit, mund të ishte në darkë, siç ka ndodhur me homologun kroat.
Duke folur në tryezën kryesore, Topi ka garantuar krerët e NATO-s se vendi do mbajë zgjedhje brenda standardeve.
“Ky anëtarësim do të ndihmojë zhvillimin e demokracisë së brendshme dhe reformat politike, ushtarake dhe ekonomike në Shqipëri, do të nxisë hapat e saj në integrimin e mëtejshëm euroatlantik. Prova e parë do të jetë zhvillimi, sipas standardeve i zgjedhjeve të ardhshme politike të qershorit 2009”, - tha Topi.