E Diel, 1 Nëntor 2026

Nëse NATO nuk do të ekzistonte, do të na duhej ta shpiknim

Nga Mirek Topolánek, Kryeministër i Republikës së Çekisë

Mendoj shpesh për mësimet e historisë. Përkundër goditjes së krizës ekonomike globale, i referohem përvojës fatkeqe të protektonizmit të viteve 1930. Kur diskutojmë ratifikimin e Traktatit të Lisbonës, i kujtoj të tjerët se pavarësia, e fituar vetëm 20 vjet më parë nga Republika e Çekisë, mbetet një çështje e ndjeshme për vendin tonë. Dhe, kur mbroj prioritetet, si siguria energjitike e BE dhe rëndësia strategjike me fqinjët tanë lindorë, unë përmend krizën më të fundit në lidhje me sigurinë në Gjeorgji dhe për gazin në Ukrainë.

Por e shkuara na mëson edhe gjëra pozitive. Një prej tyre është suksesi i Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO). Padyshim që ishte kjo Aleancë që i stabilizoi vendet e Evropës Perëndimore, të cilat ishin mbërthyer prej shekujsh nga betejat për dominim, dhe krijoi një bllok të aftë për t’u rezistuar kërcënimeve potenciale nga pjesa lindore e botës dypolare.

Fitorja e NATO-s ndaj Traktatit të Varshavës nuk ishte fitore armësh, por parimesh demokratike, të cilat ishin të huaja për bllokun komunist. Republika e Çekisë - ish-Çekosllovakia - e provoi drejtpërdrejt këtë, kur Pranvera e Pragës, një përpjekje për ta humanizuar socializmin, u shtyp nga tanket e ushtrive të Traktatit të Varshavës. Megjithatë, kur fundi i Luftës së Ftohtë nënkuptonte fundin e Traktatit, NATO mbeti e nevojshme.

Deri tani NATO është zgjeruar në 28 anëtarë; një e treta ish-armiq nga Traktati i Varshavës. A ka ndonjë shembull tjetër më të mirë për hapjen e NATO-s dhe dashurisë për lirinë? Si e vetmja aleancë ushtarake ndërkombëtare funksionale, NATO ka qenë aktive në veprime jashtë vendeve anëtare. A ka një shembull më të mirë për legjitimitetin e saj? Tani, veprimet e NATO-s përfshijnë, jo vetëm aktivitete ushtarake, por edhe restaurim infrastrukture dhe trajnim të forcave lokale të sigurisë. A kanë një shembull më të mirë vendet si palë e tretë? Mendoj se jo.

Unë personalisht e kam provuar se çfarë nënkuptonin premtimet e “anëtarësimit vullnetar”, “ndihmës vëllazërore” dhe “qëndrimit të përkohshëm” të Traktatit të Varshavës: diktaturë e detyruar, pushtim i dhunshëm dhe frikësim i pakufishëm. Nga këndvështrimi im, rëndësia e investimit të SHBA në NATO nuk bazohet aq shumë në forcën e superfuqisë së parë atomike, sa në përgjegjësinë mbi-nacionale për demokracinë, me të cilën ushtarët amerikanë zbarkuan në Normandi apo hodhën ushqim për banorët e Berlinit Perëndimor.

Kur mendoj më tej për zhvillimin e NATO-s, përpiqem të përfytyroj një botë pa të. Përfytyroj vendet e kërcënuar nga terrorizmi (e cili vend do të guxonte të thoshte se nuk është i kërcënuar?), të mbrohen në vetmi. Përfytyroj vende të pushtuara të vonuara në kërkimin e aleatëve. Përfytyroj Afganistanin apo një tjetër vend të paqëndrueshëm që bëhet qendër e organizatave militante dhe karteleve të drogës. Imagjinoj vende në rajone strategjike që bëhen lodra në duart e fqinjëve të fuqishëm.

Siç tha Barack Obama me të drejtë në një nga fjalimet e fundit ku shpalosi strategjinë e re për Afganistanin dhe Pakistanin, “pikërisht ideja se vendet e lira mund të bashkohen në emër të sigurisë sonë të përbashkët... ishte shkaku i themelimit të NATO-s gjashtë dekada më parë dhe që duhet të jetë qëllim i përbashkët sot.” Nëse do të ekzistonte një botë e tillë pa NATO-n, unë do të isha i pari që do të bëja thirrja, bazuar në përvojën historike që nga Traktati i Munihut e deri në fundin e Çekosllovakisë demokratike, për krijimin e një aleance që do të mbronte lirinë, barazinë dhe do të respektonte dinjitetin dhe jetën njerëzore.

Fatmirësisht, një aleancë e tillë ekziston dhe Republika Çeke është anëtare e saj. Si e tillë, ne jemi përgjegjës për vlerat e saj, përfshi politikën tonë të brendshme. Kjo është arsyeja pse qeverisë tonë iu desh të qëndronte me vendosmëri ndaj sfidave të brendshme gjatë diskutimit të zgjatjes së mandatit të trupave në Afganistan dhe pse mbrojmë vendosjen e sistemit antiraketor të mbrojtjes.

Anëtarësimi ynë në NATO nënkupton edhe përgjegjësi për të ardhmen. Ja pse të gjithë duhet të kujtomë historinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›