Skandali me pagesën e ARMO-s, qeveria detyron që “Bechtel” t’ia blejë bitumin dy herë më shtrenjtë
Skandali i pagesës së Bankës Credins prej miliona eurosh për llogari të kompanisë ARMO vazhdon të jetë një minë me sahat, ndërsa askush nuk flet në lidhje me këtë skandal të rëndë. Zyrtarët e Bankës së Shqipërisë nuk prononcohen, ndërsa ata të Bankës Credins nuk kanë asnjë qëndrim.
Por, ndërsa pozitat e Credins vështirësohen shumë, qeveria ka ndërmarrë të tjera hapa për t’i mundësuar kompanisë së Rezart Taçit të grumbullojë sa më shumë pará për t’i depozituar në llogarinë prej 77 milionë eurosh te Credins. Kësaj radhe është gjetur një tjetër vrimë e zezë për t’u përdorur. Firma “Bechtel Enka”, e cila po ndërton rrugën Durrës-Kukës dhe që po gllabëron fonde pa fund nga qeveria shqiptare për të, po e merr bitumin nga ARMO me një çmim gati dyfishin e asaj që ofron tregu për të mbushur arkën e ARMO-s.
Të tjera manovra
Prej kohësh ARMO, e cila u ble në një tender të mbushur me shkelje, po vidhet nga pronari i ri për të plotësuar pagesën që duhej të ishte bërë prej kohësh. Kontrata për blerjen u ndryshua disa herë, duke i mundësuar Taçit lehtësira nga më të ndryshmet, duke shkelur hapur kushtet e tenderit dhe duke bërë që kompanitë e tjera në garë të ngrenë padi penale për këto abuzime.
Fillimisht, afati i pagesës së çmimit të ARMO-s u shty deri më 31 dhjetor me mundësi negocimi për shtyrje të mëtejshme. Deri në momentin e mrekullisë, kur blerësi fantazmë të mund të bënte paratë, ARMO vihej në administrim të dyfishtë, të administratës shtetërore dhe të “vëzhguesve” të Taçit, në mënyrë që ky blerës “strategjik” të vidhte mbi 10 milionë euro nga ARMO përmes kontratave të paligjshme me “parapagim”. Në mënyrë që aksionet e ARMO-s t’i kalohen përfundimisht Taçit, duheshin sajuar pagesat fiktive apo transferta të dyshimta nga banka të ndryshme, por pa depozituar gjë në buxhetin e shtetit.
Kështu nis implementimi i planit të “bashkadministrimit” të ARMO-s me Taçin, për t’i dhënë mundësinë atij që të grabiste pa pagesë rreth 10 mijë tonë naftë virgjine, 1500 tonë bitum dhe 3500 tonë D2, por peticioni që administrata dhe sindikata e Kombinatit të Ballshit i dërguan kryeministrit kundër vjedhjeve skandaloze prej miliona eurosh të kryera nga “konsorciumi amerikan” i Taçit, e detyruan ministrin t’i ndërpriste - mbase përkohësisht - kontratat me parapagim me firmat e Taçit, çka mbylli rubinetet për vjedhje të mëtejshme.
Loja me eurodieselin
Pasi dukej se nuk po ia dilte me këtë lojë, pronari i ri i ish-kompanisë shtetërore të naftës, ARMO, Rezart Taçi, deklaroi se ka filluar prodhimin e naftës eurodiesel në rafinerinë e Ballshit, duke ngritur një sërë dyshimesh për futjen kontrabandë të naftës D1 dhe përzierjen e saj në masë me naftën e Ballshit, gjë që mund të shkatërrojë cilësinë e naftës në tregun shqiptar, por do shtonte të ardhurat e tij.
Deklaratat e Taçit për prodhimin e naftës eurodiesel u kundërshtuan nga çdo specialist i thjeshtë nafte në Shqipëri, dhe nga kushdo që njeh sadopak teknologjinë e viteve ‘50 të rafinerisë së naftës në Ballsh. Ekspertët thonë se deklarata synon të mbulojë mijëra tonë naftë D1, por dhe D2, të futur nga jashtë pa doganë, e cila duhet të justifikohet me futjen e saj në tregun shqiptar duke u përzier me naftën e keqe të Ballshit dhe duke përfituar disa fish nga shmangia e akcizave në doganë.
Kërkesa e kompanive në garë
Përfaqësuesit e konsorciumit “US Balkan Capital Fund”, që u klasifikuan në vendin e dytë në tenderin për marrjen e kompanisë ARMO, kërkuan nga Ministria e Ekonomisë dhe Privatizimeve që të zbardhë pagesat që janë bërë nga fituesi i këtij tenderi. Në një letër drejtuar ministrit Genc Ruli thuhet se konsorciumi që doli i dyti ka të drejtë të informohet në mënyrë të detajuar për këtë çështje.
Fitimet nga akciza
Në Kuvend kalon një ligj, i cili ngre artificialisht çmimin e karburanteve përmes ngritjes së akcizës së tyre, duke rritur ndjeshëm fitimet për pronarët e rinj të ARMO-s, që marrin naftën nga prodhimi vendas. Nafta D1, e cila e ka akcizën 27 lekë për litër, shkon në 37 lekë për litër, ndërsa benzina, nga 37 lekë për litër, në 50 lekë për litër. Qeveria nuk ka asnjë argument bindës për këto masa që dëmtojnë realisht tregun e naftës dhe shkojnë në favor të një klienti të privilegjuar të saj.
Vjedhja me pagat
Shumë punëtorë të kompanisë së Taçit nuk po marrin pagat. Skandali është denoncuar dhe në Kuvend nga Partia Socialiste.
“Denoncoj një tjetër vjedhje të qeverisë Berisha. Kësaj radhe është një vjedhje me përmasa të mëdha ndaj 606 qytetarëve, kryesisht të Ballshit, të cilëve prej 6 muajsh nuk iu jepen 26 milionë lekë të reja ose 3 milionë dollarë. Këta punonjës janë të njohur për të gjithë publikun dhe nga Ministria e Ekonomisë, prej së cilës vareshin deri në qershor, si kosto humane njerëzore apo çnjerëzore e privatizimit të ndërmarrjes shtetërore të tregtimit të naftës, ARMO. Këta janë 606 punëtorë, pjesa më e madhe e të cilëve janë gra kryefamiljare, të pushuara nga puna në qershor të vitit 2008, 4 muaj para privatizimit të kompanisë, nën kriteret fashiste, politike, nën argumentin e përgatitjes së kompanisë për privatizim. Sipas vendimit nr. 261, të datës 27 shkurt 2008, dhe më pas sipas udhëzimit të ministrit të Ekonomisë, nr. 250, të datës 08.04.2008, në daljen e tyre, qeveria dhe Sali Berisha duhet t’iu paguante nga ndërmarrja e pa-privatizuar 1 vit pagë për ndërprerje të marrëdhënies së punës dhe së dyti, shpërblim për vjetërsinë e punës së secilit punëtor, sipas Kodit të Punës, që është ende në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Nëse për kompaninë tjetër shtetërore, “Albpetrol”, ky detyrim është miratuar që në korrik 2008, 606 punëtorët e ARMO-s vidhen prej 6 muajsh. Me vendimin 1523, të datës 19.01.2008, edhe ky vendim i nënshkruar nga Sali Berisha, i botuar në Fletoren Zyrtare nr. 179, datë 11 dhjetor 2008, Berisha saktësonte se duhet t’i paguante punonjësve një vlerë prej 262 milionë lekësh. Kjo është edhe vlera e vjedhjes ndaj këtyre 606 punonjësve. Dua të saktësoj, se në këto vendime, 262 milion lekë duhet t’iu paguhen punëtorëve nga likuiditetet e kompanisë shtetërore ARMO, ku ngarkohet Ministria e Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi. Sot, pikëpyetja që shoqëron dyshimin e madh për vjedhjen është: ǒu bënë paratë në arkat e ARMO-s para privatizimit, që iu jepnin punëtorëve?! Natyrisht, vlera e vjedhjes së dytë është edhe më e madhe”, - tha nënkryetari i grupit parlamentar të PS, Erion Braçe.
Monopoli në treg
Si për t’i vënë vulën kësaj historie korruptive, që vitin e shkuar ishte planifikuar një plan djallëzor që do i linte Taçit tregun e naftës. Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve ka protestuar dhe e ka denoncuar monopolin që kryeministri Sali Berisha i ka dhënë “Taçi Oil” në tregtimin i vetëm të naftës D2. Duke theksuar se nga 420 mijë tonë që shiten gjithsej, 300 mijë janë nga kjo naftë, që tashmë do jetë vetëm në dorën e Taçit, kjo shoqatë i ka kërkuar kryeministrit të rishohë vendimin që parashikon treg monopol dhe shkatërron miliona euro investime dhe dëmton rëndë konkurrencën. Sipas kësaj shoqate, ka të dhëna se ky monopol do thellohet edhe më tej. Me vendim qeverie, ARMO, që tashmë i përket Taçit, do jetë e vetmja që do tregtojë D2, që përbën shumicën në treg. Ajo do tregtojë naftë D2 jashtë cilësie të Ballshit, që do e marrë shumë lirë, do lirohet nga taksat dhe do shkatërrojë bizneset e hidrokarbureve që i paguajnë qindra miliona euro taksa shtetit.