E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha nuk rikandidon 40% të Grupit Parlamentar dhe çerekun e Kryesisë

17 deputetë aktualë të PD-së dhe 6 anëtarë të Kryesisë, jashtë listës. Mbështetësit e Topit, në vende jofavorite në listën e PD-së

Eljona Ballhysa
Më shumë se 40% e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike nuk rikandidojnë në zgjedhje e ardhshme parlamentare. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lënë jashtë listës aktuale të kandidatëve për deputetë rreth 17 deputetë aktualë të Partisë Demokratike. Berisha gjithashtu ka vendosur të mos vendosë në listën e kandidatëve për deputetë 6 anëtarë të Kryesisë qendrore të PD-së. Ndërkohë që në listën e kandidatëve për deputetë të PD-së është vendosur emri i një deputeti socialist si ai i Paulin Skerkajt, jashtë saj kanë mbetur figura të njohura dhe me kontribute në këtë parti. Ajo që bie në sy në listën e PD-së është kandidimi i mbështetësve të presidentit Topi në vende të pafavorshme në listë, nga mesi ose nga fundi i saj. Ndërsa një pjesë e figurave të tjera të PD-së kanë ndryshuar në mënyrë skajshme zonat elektorale pa shpjeguar arsyen.
Jashtë liste
Jashtë listës së PD-së për zgjedhjet e 28 qershorit kanë mbetur deputetët Aleksandër Biberaj, Besnik Mustafaj, Preç Zogaj, Baki Shehi, Blerim Çela, Engjëll Cara, Genc Juka, Gëzim Karapici, Gilman Bakalli, Mevlan Xhindoli, Pal Dajçi, Rahim Kaleci, Rexhep Uka, Sali Shehu, Shkëlqim Ziri, Spartak Ngjela e Ylli Pango. Një pjesë e tyre njihen se zëra kritikë brenda PD-së dhe kohët e fundit janë përplasur me lidershipin e PD-së. Ndërsa disa të tjerë njihen si mbështetës të presidentit Topi.
Mbështetësit
Grupi i Mbështetësve të presidentit Topi në PD, të cilët Berisha i ka cilësuar si pakicë bllokuese, është vendosur në vende aspak të favorshme në listën e kësaj partie. Kështu, Gazmend Oketa është vendosur në vend të tretë në listën e Durrësit, ndërsa në vend të parë është vendosur deputeti Xhaferri. Ndriçim Babasi është vendosur në vend të tetë të listës së qarkut të Durrësit, duke e vështirësuar në maksimum fitoren e tij. Ndërsa Sami Gjergji ndodhet në vendin e nëntë të listës së qarkut të Durrësit. Bujar Leskaj, një tjetër deputetët i njohur si mbështetës i presidentit Topi, është vendosur në vend të shyatë në listën e qarkut të Vlorës.
Lëvizjet
Ajo që bie në sy në listën zyrtare të kandidatëve për deputetë të PD-së është ndryshimi i zonave elektorale të disa prej deputetëve të njohur të kësaj partie. Kështu, ish-zëvendëskryeministri Ilir Rusmali, në këto zgjedhje kandidon në Tiranë dhe jo në Korçë, nga ku është zgjedhur deputet në vitin 2005. Një nga figurat e PD-së, Lulzim Basha, i zgjedhur deputet në Tiranë në vitin 2005, në këto zgjedhje kandidon në qarkun e Elbasanit. Nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi, deputet i Vorës, në këto zgjedhje kandidon në qarkun e Vlorës. Ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, nga deputet i Kukësit, në këto zgjedhje kandidon në qarkun e Dibrës. Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, në zgjedhjet e 2005-s është zgjedhur deputet në Shijak, në zgjedhjet lokale të 2007-s kandidoi për postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, ndërsa në zgjedhjet e 2009-s kandidon në qarkun e Fierit. Duket se të vetmit që nuk kanë ndryshuar zonë janë kryetari Berisha, i cili është deputet i Kavajës, dhe në këto zgjedhje është i pari i listës në qarkun e Tiranës. Jozefina Topalli, deputete e Shkodrës, rikandidon në këtë qark, Ridvan Bode, deputet i Korçës, rikandidon në këtë qark. Disa emra surprizë të Berishës janë, pa dyshim, kandidimi për deputete i aktores Rajmonda Bulku, kandidimi i dy ish-anëtarëve të PBDNJ-së, Kosta Barka e Spiro Ksera, si dhe kandidimi i deputetit të PS-së, Paulin Sterkaj.

20 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›