E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha nuk tërhiqet: Aplikimi për në BE, përpara zgjedhjeve

Kryeministri Sali Berisha nuk dorëzohet nga ambicia e tij për të aplikuar përpara zgjedhjeve për statusin kandidat për në Bashkimin Evropian. Pavarësisht se si do të jetë rezultati i zgjedhjeve të 28 qershorit, duket qartë që Kryeministri Berisha kërkon të mbajë meritat për hapat finalë të integrimit të Shqipërisë në BE. Shefi i qeverisë nuk ka anashkaluar edhe problemet që pala shqiptare ka hasur nga pala çeke, që mban edhe presidencën e radhës në BE. "Tani se mund të shtyhet pak, sa të thahet uji, kjo është normale, ne miqtë i mirëkuptojmë, por brenda presidencës çeke ne duam që ta paraqesim", tha Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së. Kryeministri Berisha u shpreh se Shqipëria ka shënuar arritje të mëdha në të gjitha fushat dhe me përmbylljen e ratifikimit të MSA-së dhe hyrjes së saj në fuqi, tashmë nuk mbetet veçse që vendi ynë të kalojë në stadin tjetër të rrugës për në BE, që është statusi kandidat. Kryeministri Berisha e cilësoi prillin si muajin më historik për vendin pas nëntorit, pasi në këtë periudhë mes Shqipërisë dhe BE-së fillon zbatimi i MSA-së, që nënkupton plotësimin e standardeve që rrjedhin nga ky dokument. "Gjatë presidencës çeke, për shkak të hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit me Bashkimit Evropian, krijohet dhe mblidhet Këshilli i Stabilizim-Asocimit me Shqipërinë, këshill që do të patronojë respektimin dhe konsolidimin e të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga kjo marrëveshje për vendin tonë, dhe do të ketë degëza në të gjitha institucionet e vendit", tha Berisha. Por, shefi i qeverisë nuk la pa përmendur edhe raportin e fundit të DASH-it, duke komentuar me një shembull respektimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri.

"Ka tre vjet që asnjë gazetari, çfarëdo që të ketë botuar, nuk i ka kërkuar njeri burimin e informacionit, përveçse në një rast kur një gazetari, pasi i kishin shitur prokurorët informacionin, i kërkonin llogari nga e kishte marrë këtë informacion, duke dëshmuar se nuk ishin prokurorë, por ishin matrapazë", tha ai. Shefi i qeverisë foli më tej edhe për krizën ekonomike, e cila sipas tij ka dhënë vetëm efekte dytësore dhe me nisjen e investimeve të parashikuara, situata ekonomike në vend do të njohë veç rritje.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›