E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrau fqinjin dhe bashkëshorten për një kafe

Prokuroria e Tiranës përfundon hetimet për ngjarjen e ndodhur më datë 24 nëntor 2008, në vendin e quajtur fshati Sauk i Vjetër, ku Ali Shehu vrau me armë zjarri Bexhet Xhabrahimin dhe bashkëshorten Fatime Shehun. Pas ngjarjes, i pandehuri është dorëzuar në polici. Për ngjarjen në fjalë kanë dëshmuar edhe nuset e djemve të Ali Shehut. Ato kanë deklaruar se te shtëpia e tyre ka shkuar shtetasi Bexhet Xhabrahimi, i cili është takuar me vjehrrin e tyre. Nuset deklarojnë se pasi janë takuar kanë filluar të debatojnë, ku në debat e sipër Aliu ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar Bexhet Xhabrahimin. I moshuari i është afruar Bexhetit dhe e ka qëlluar përsëri 3-4 herë të tjera. Aliu është futur në shtëpinë e tij dhe menjëherë pa folur ka qëlluar me armë në drejtim të gruas së tij. Nuset e djemve të Ali Shehut kanë deklaruar se kanë dëgjuar të tjera të shtëna. Në pyetje është marrë edhe Ali Shehu, i cili shpjegon se është e vërtetë se ai ka vrarë shtetasin Bexhet Xhabrahimi dhe më pas gruan e tij, Fatime Shehu. Në lidhje me motivin e këtij veprimi ai thotë se para tre vjetësh ka parë nga dritarja, që brenda në shtëpinë tij në një dhomë ishte shtetasi Bexhet Xhabrahimi dhe gruaja. Sipas prokurorisë, në kohën që është futur brenda, të dy këta persona kanë dalë nga dhoma ku ishin dhe kanë bërë sikur nuk kishte ndodhur gjë. Ai ka kujtuar se gruaja e tij po e tradhtonte, por për momentin nuk ishte i përgatitur dhe nuk kishte çfarë të bënte. Vetë Ali Shehu para policisë deklaron se ditën e ngjarjes Bexheti ka shkuar te shtëpia e tij. I moshuari Ali Shehu, pasi ka parë Bexhetin duke pirë kafe me gruan e tij, është futur në shtëpi, është falur dhe më pas ka marrë pistoletën, e ka mbushur dhe ka dalë përjashta. Duke i drejtuar pistoletën, Aliu e ka qëlluar me një plumb dhe pasi është rrëzuar e ka qëlluar dhe me dy-tre plumba të tjerë. Pasi ka vrarë Bexhetin, ai ka shkuar brenda në shtëpi në dhomën e djalit, ku ishte gruaja e tij së bashku me nusen e djalit. Nga hetimet ka rezultuar se kur është futur në këtë dhomë ai ka qëlluar me një plumb gruan, por më pas arma është bllokuar. Sipas dëshmive, në këtë kohë e ka qëlluar gruan me shqelma dhe me grushte e me çfarë i kishte kapur dora. Më pas ka dalë në korridorin e shtëpisë dhe ka parë që pistoleta kishte ngecur, pasi kishte kapur keq një gëzhojë. Prokuroria deklaron se Shehu ka bërë rimbushjen e armës dhe është futur përsëri në dhomën ku ishte gruaja e tij dhe e ka qëlluar përsëri dhe një herë tjetër me armë. Ka dalë sërish jashtë, ku ka qëlluar Bexhetin përsëri dhe pasi ka parë nëse ai ka vdekur apo jo, është futur në shtëpi në dhomën ku ishte gruaja dhe ka parë nëse kishte vdekur. Pasi është siguruar se të dy viktimat kishin vdekur, Aliu është dorëzuar në polici. Ndërkohë, djemtë e tij mohuan në mënyrë kategorike se vrasja ka ndodhur nga xhelozia. Ata deklaruan se me viktimën Bexhet Xhabrahimi kishin një konflikt pronësie.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›