E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, Dokle: Pse do të fitojmë

Ish-kreu i socialistëve, Fatos Nano, mbetet në mesin e politikës shqiptare. Ky është konstatimi i një prej ish-bashkëpunëtorëve më të ngushtë të tij, Namik Dokle. Në një intervistë për "Shqip", ai deklaron se Nano i përket asaj race politikanësh që nuk mendojnë thjesht dhe vetëm për zgjedhjet e ardhshme, por për të ardhmen. "Dhe në të ardhmen e tij mbetet ende një projekt që pret për t‘u realizuar: Presidenca e Republikës", vlerëson Dokle. Teksa e sheh me shumë pozitivitet sjelljen aktuale të tij larg ambicieve meskine të politikanëve të perënduar. "Kjo mënyrë pra, e bën edhe më të mundshëm projektin e tij...", mendon Dokle. Ai konfirmon sakaq, se një prej mënyrave që diskutohet në "korridoret politike" është ajo e ofrimit të një qeverie të ndarë nga legjislativi. Duke analizuar marrëdhëniet me Lëvizjen Socialiste për Integrim, Dokle shpreh habi se nga "buron gjithë ai mllef, ku gatuhet gjithë ajo baltë, në ç‘gurore nxirren gjithë ata gurë për të gjuajtur mbi Partinë Socialiste". Sipas tij, me megalomani politike nuk rritet numri i mandateve dhe se nuk do të jetë aspak në të mirë të kësaj force politike, nëse ajo do të vazhdojë në këtë rrugë e do të kapërcejë Rubikonin. I pyetur për mungesën e një debati sa i takon kandidaturave për deputetë në zgjedhjet e 28 qershorit, Dokle thotë se "gjithçka po ecën brenda normalitetit në këtë proces. Ka vend për atë që ju e quajtët taktikë elektorale. Konstatoj mençuri dhe pjekuri. Dardha e këputur para kohe, të ngel në fyt!"

Zoti Dokle, ndodhemi vetëm katër muaj para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Si e shikoni klimën politike në vend?

Situata politike vlon përbrenda, edhe pse në dukje është e qetë. Partitë politike janë në prag ethesh. Llaku i buzëqeshjeve të Berishës po bie çdo ditë e më shumë, edhe pse përpiqet ta mbajë veten "me gajret". Po u afrohet zgjedhjeve me dhjetëra e dhjetëra premtime të pambajtura. Ka tre vjet e gjysmë që mashtron ish-pronarët. Ka tre vjet e gjysmë që gënjen ish të përndjekurit. Ka tre vjet e gjysmë që vazhdon të premtojë zgjidhje të problemeve të varfërisë, të papunësisë, të strehimit, të infrastrukturës rurale, ndërkohë që këto halle të njerëzve rëndohen. Çdo ditë e më shumë. Ka tre vjet e gjysmë që mashtron pensionistët, veteranët, ish-ushtarakët, emigrantët, mjekët, arsimtarët. Ka tre vjet e gjysmë që u rëndon biznesmenëve me manovra dinake të fiskut. Ka tre vjet e gjysmë që "KOP-in" e ka kthyer në "KAP" duke mbërthyer në Korrupsion, Arrogancë dhe Papërgjegjshmëri të gjitha institucionet në varësi të qeverisë dhe duke u përpjekur të "KAP" edhe ato që janë të pavarura. Në këtë situatë njerëzit po numërojnë me ankth ditët...Edhe 130...edhe 127...edhe 120... Kanë mbetur, siç thoni ju në pyetje edhe 4 muaj. Kjo qeverisje durohet (jemi të obliguar ndaj Kushtetutës) edhe katër muaj, por kurrsesi edhe katër vjet të tjera!

Sa po e ndihmon opozitën mënyra se si po qeveris zoti Berisha dhe a po përgatitet Partia Socialiste për këtë sfidë elektorale?

Opozita, po flas veçmas për Partinë Socialiste, besimin për fitoren e 28 qershorit, nuk e mbështet te qeverisja e mbrapshtë dhe pa vizion e Berishës, por më së shumti te vetvetja, te puna dhe organizimi i saj, mbi të gjitha te vizioni i saj për ndryshimin që duhet të realizohet në Shqipëri. Tashmë po kuptohet nga shumica e shqiptarëve se ky ndryshim duhet realizuar domosdo për të garantuar qetësinë e nënave e baballarëve tanë, dinjitetin dhe integritetin tonë, të ardhmen e fëmijëve tanë. Ne duhet ta realizojmë këtë ndryshim për të mundur varfërinë, për të ulur papunësinë, për të ngritur nga balta shkollën dhe arsimin, për të respektuar kulturën, për të shëndoshur shëndetësinë. Njerëzit janë të angazhuar për të mbështetur ndryshimin, sepse janë mërzitur, nuk durojnë më dhe duan t‘i japin fund arrogancës së zyrtarëve të papërgjegjshëm, për t‘i thënë ndal korrupsionit vrasës të qeveri-Gërdecit, për të mbyllur historinë e klaneve dhe sekserëve qeveritarë, që nga Porto Romano në Porto Palermo dhe që nga plazhi i Jalit deri në plazhin e "Gjeneralit"! Ndryshimin e madh, Partia Socialiste e mbështet te programi i saj i ndryshimit, program që tashmë përpunohet nga laboratorët politikë brenda dhe jashtë vendit, pasi janë realizuar mijëra takime me njerëz të thjeshtë dhe ekspertë të të gjitha fushave, në mbarë Shqipërinë. E mbështesim te kapacitetet dhe ekipet tona projektuese dhe zbatuese. E mbështesim te lideri i forcës sonë politike, i cili ka treguar me vullnet e përkushtim, në Bashkinë e Tiranës dhe në vetë Partisë Socialiste, se si realizohet ndryshimi. Javët e fundit ka nisur një lëvizje e fuqishme, plot energji dhe freski, e vullnetarëve të bashkimit të ri për ndryshim, që po i japin aksionit politik të PS-së impulse të veçanta dhe domethënëse. Pra, mënyrën se si po qeveriset sot, e nuk e llogarisim si "aleatin" tonë, por si një realitet që duhet ndryshuar, domosdoshmërisht duhet ndryshuar, që më në fund, edhe Shqipëria të fillojë të qeveriset normalisht si çdo vend i Evropës. Sot njerëzit janë të qartë në interesat e tyre. Sot institucionet janë të qarta në të drejtën e tyre. Sot studentët janë të qartë se si zhvlerësohen diplomat i tyre. Sot nënat që lindin, sidomos ato në fshat, e dinë mirë se përse nuk u garantohen të gjitha kushtet shëndetësore e financiare për mirërritjen e foshnjave. Sot biznesmenët i bëjnë më mirë llogaritë dhe e dinë se në cilat gjeratore qeveritare humbasin energjitë e tyre financiare. Dhe të gjithë këta, sot kërkojnë, presin dhe mbështesin ndryshimin.

Po Berisha e quajti atë çka premton PS si "ndryshkim"...

Është i njohur talenti i tij për të shtrembëruar fjalë, emra dhe realitete. Me qindra herë e kemi dëgjuar t‘u ndryshojë emra e mbiemra publikisht personaliteteve të politikës, drejtësisë apo të mediave. Me këtë lloj manie, askush nuk mund të krenohet dhe as të shkrihet gazit nga gjetjet e veta. Kështu që ai, kur bën këtë lloj akrobacie fjalësh, tronditet nga mendimi se edhe thirrja e tij "Shqipëria po ndryshon", sigurisht që nga shqiptarët që nuk mashtrohen më, përkthehet në "Shqipëria po lëngon...po rënkon...edhe nuk të duron".

Ku bazohet frika e Partisë Socialiste se mazhoranca mund të manipulojë procesin zgjedhor zoti Dokle?

Ne nuk kemi frikë, sepse, bashkë me ndërkombëtarët, po e kontrollojmë dhe do të vazhdojmë ta ndjekim hap pas hapi procesin. Shqetësimin po e kthejmë në veprim. Por ju doni të dini nga vjen shqetësimi? Nga përvoja dhe nga e sotmja. Përvoja më kujton shumë gjëra, që nga Libofsha e deri te referendumi i projektkushtetutës së vitit 1994, te manipulimi masiv i zgjedhjeve të 1996 e deri në rastet e viteve të fundit. Por shumë gjëra kanë ndryshuar edhe pse mentaliteti i Partisë Demokratike për këtë çështje pak ka ndryshuar. Gjërat kanë ndryshuar si në legjislacion ashtu edhe në infrastrukturën zgjedhore. Për herë të parë, Kodi i ka prerë rrugën transferimit të votave, fenomen ky që pat sjellur Dushkun dhe dushkarët, Xhuvelin dhe xhuvelërinë. Për herë të parë, lejohet votimi vetëm me dy dokumente bazë të identifikimit dhe jo me çdo lloj patente deri dhe me patentat e rritjes së qenve. Për herë të parë, çdo votë e numëruar do të projektohet në monitor dhe të gjithë komisionerët do të jenë nën vëzhgimin e zgjedhësve. Fatmirësisht kjo reformë u realizua me konsensusin më të gjerë të mundshëm, çka është një shenjë emancipimi e politikës. Emancipim që u shfaq në mënyrën më të shkëlqyer me qëndrimet principiale të opozitës, ndaj integrimit euroatlantik të vendit. Por vonesat dhe kaosi në prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit janë ende shumë shqetësuese. Çdo lloj dështimi është përgjegjësi e qeverisë dhe ne do ta kërkojmë deri në një zbatimin e ligjit dhe të së drejtës së shqiptarëve. Nuk do të lejojmë që rrëmuja administrative apo synimet për manipulim të funksionojnë edhe në këto zgjedhje.

Mes LSI dhe PS vazhdojnë pambarimisht akuzat dhe kundërakuzat. A mund të konsiderohet kapitull i mbyllur aleanca PS-LSI për të majtën apo kjo do të përcaktohet pas zgjedhjeve?

Vazhdoj të mbetem i çuditur nga qëndrimi i disa intervistadhënësve të LSI-së. Nuk besoj se ata nuk e kuptojnë logjikën e zhvillimeve të fundit në Shqipëri. Nuk besoj se ata nuk e dinë se çfarë mendojnë dhe çfarë duan sot shqiptarët. Dhe më në fund, nuk e kuptoj se nga buron gjithë ai mllef, ku gatuhet gjithë ajo baltë, në ç‘gurore nxirren gjithë ata gurë për të gjuajtur mbi Partinë Socialiste. Me ambicie të verbra nuk shtohet elektorati. Me megalomani politike nuk rritet numri i mandateve. Nuk do të jetë aspak në të mirë të kësaj force politike, nëse ajo do të vazhdojë në këtë rrugë dhe do të kapërcejë Rubikonin.

Gjatë turit të tij nëpër Shqipëri është vetëm zoti Rama ai që shfaqet para medias, ndërsa drejtuesit e tjerë socialistë nuk duken. Taktikë elektorale, apo çfarë?

Nuk ka të bëjë me ndonjë taktikë elektorale, por mbi të gjitha me racionimin e kohës televizive që i vihet në dispozicion Partisë Socialiste. Ju e shikoni se ç‘grabitje i bëhet kohës televizive në televizionin publik prej ministrave dhe Kryeministrit, megjithëse mbahet nga taksapaguesit shqiptarë. Për minuta të tëra me pult në dorë, nuk mund të shikosh gjë tjetër nëpër ekrane vetëm këta shtihanë të demokracisë. Kjo është arsyeja. Ndërkohë që edhe drejtuesit e tjerë të Partisë Socialiste shfrytëzojnë (dhe mirë bëjnë) hapësirën televizive të Kuvendit, mediat e shkruara, debatet televizive që nga "Zona e Lirë", deri te "Zona e Ndaluar".

Ju zoti Dokle jeni një nga figurat më tradicionale në Partinë Socialiste dhe rrjedhimisht e kuptoni qartë funksionimin e selisë rozë. Ndryshe nga më parë, në këto prag zgjedhjesh ende nuk ka emra kandidatësh. Do të pritet afati ligjor për depozitimin e listës në KQZ, apo do të ketë një proces të hapur përzgjedhjeje?

Përvoja ime më thotë se gjithçka po ecën brenda normalitetit në këtë proces. Në këtë dhe jo në pyetjen e mësipërme ka vend për atë që ju e quajtët taktikë elektorale. Konstatoj mençuri dhe pjekuri. Dardha e këputur para kohe të ngel në fyt!

A mendoni se Partisë Socialiste i mungon një strukturë partiake, në të cilën të mund të angazhonte të gjithë personalitetet e saj tradicionale. Diçka që mbase mund të çonte edhe në freskimin e listës së deputetëve me emra të rinj. Forma të tilla organizimi

janë propozuar pas zgjedhjeve të vitit 2005...

Nuk ndihet kjo mungesë. Vetë statuti i PS-së, në ndryshimin e fundit që iu bë në kongres, e ka zgjidhur këtë problem. Të gjithë personalitetet që ju i quani tradicionale, janë përfshirë në forumin kryesor drejtues të PS-së, automatikisht, pa votim, në respekt të kontributit të tyre shumëvjeçar. Në strukturat e tanishme elektorale po përfshihen të gjithë, si vullnetarët e rinj, ashtu edhe ata që nëpër vite kanë drejtuar partinë në çdo njësi të saj, apo kanë qenë të zgjedhurit e saj në organet e qeverisjes vendore dhe qendrore. Ka edhe forma të tjera të angazhimit të gjithkujt, që shpreh vullnet e dëshirë për të dhënë kontributin në realizimin e ndryshimit. Për të përmendur një shembull, dy nga drejtuesit kryesorë të fondacionit "Qemal Stafa" janë Rexhep Meidani dhe Shkëlqim Cani, i pari ish-president i Republikës dhe i dyti ish-zëvendëskryeministri i parë i Partisë Socialiste.

Në korridoret politike flitet se PS-ja, nëse arrin të fitojë zgjedhjet, do të tentojë realizimin e një qeverie ekspertësh, e ndarë nga legjislativi. Sa funksionale mund të ishte kjo ofertë politike nëse ndodh?

Ka përvoja të ndryshme. Edhe kjo që përmendët ju është një përvojë që po diskutohet. E rëndësishme dhe po aq funksionale është ajo mënyrë e organizimit të qeverisë, apo edhe e trupës parlamentare, që çdo posti i ofron kapacitetet përkatëse, njerëzit që kanë kulturën, performancën dhe përvojën e nevojshme për të përmbushur detyrën.

A besoni zoti Dokle se mund të ketë ende ndikim ish-kryetari socialist, Fatos Nano, në elektoratin e majtë dhe në përgjithësi te zgjedhësit. Cili mund të ishte roli i tij më i mirë në pragzgjedhjet e ardhshme?

Nano ka një përvojë politike të gjatë. Pavarësisht oshilacioneve, aq të natyrshme në skenën tonë politike, pavarësisht euforisë së madhe që shfaqi Berisha duke bërtitur "e nxora Nanon në pension", Fatosi mbetet në mesin e politikës shqiptare. Ai që ka qenë dhe ai që është! Unë mendoj, dhe mos qofsha i gabuar, se Nano i përket asaj race politikanësh që nuk mendojnë thjesht dhe vetëm për zgjedhjet e ardhshme, por për të ardhmen. Dhe në të ardhmen e tij mbetet ende një projekt që pret për t‘u realizuar: Presidenca e Republikës. Mendimi im personal është se ai shfaqet ndër politikanët më të kompletuar për këtë post. Mënyra se si po sillet tani, do të thosha "një sjellje presidenciale", pa u trazuar në truke të vogla, në ambicie meskine politikanësh të perënduar, në partiçka që ndizen dhe shuhen brenda një stine elektorale; kjo mënyrë pra e bën edhe më të mundshëm projektin e tij...



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›