Meta: Politikanët t‘i shërbejnë qëllimeve kombëtare
Ilir Meta, i shoqëruar nga deputeti Ndre Legisi, mori pjesë dje në 565-vjetorin e Kuvendit të Lezhës. Duke përshëndetur këtë datë historike të Kuvendit të princave shqiptarë, kryetari i Bashkisë së qytetit të Lezhës, Viktor Tusha, u shpreh se "2 Marsi i vitit 1444 është një ditë shumë e rëndësishme për popullin tonë, të cilët, nën drejtimin e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu bashkuan mendjet, energjitë, forcat dhe financat kundër Perandorisë Osmane". Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, tha ai, e zgjodhi qytetin e Lezhës si një vend të besës, si vend bujar dhe mikpritës dhe si një vend strategjik për të ndërtuar perandorinë. Meta përshëndeti këtë datë historike për gjithë popullin tonë dhe shprehu kënaqësi personale për praninë e tij në këtë ditë përkujtimi. Ai u shpreh se "jam shumë i kënaqur që kam marr pjesë në këtë ngjarje shumë të madhe, jo vetëm për popullin e Lezhës, por për të gjithë popullin shqiptar, për kombin tonë". Është një ngjarje historike, shtoi Meta, e cila ka vlerë jo vetëm që të kujtohet me nderim dhe madhështi, por nga e cila duhet gjithnjë të nxirren mësime të cilat duhet të reflektohen në angazhimin e gjithë shqiptarëve dhe sidomos të politikanëve për t‘i shërbyer qëllimeve më të mëdha kombëtare. "Atyre qëllimeve që përbashkojnë aspiratat e kombit tonë, jo vetëm për të qenë të integruar dhe të bashkuar, por edhe për të pasur gjithnjë një të ardhme me dinjitet, një të ardhme e cila qëndron fort mbi lirinë, sepse për këtë të ardhme luftoi edhe Gjergj Kastriot Skënderbeu", nënvizoi kreu i LSI-së.