E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri Basha cakton katër ambasadorë të rinj

Komisioni Parlamentar për Politikën e Jashtme do të marrë në shqyrtim emrat e katër ambasadorëve të rinj të Shqipërisë. Burime diplomatike sqaruan se kanë mbërritur në Kuvend pas firmës së ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, propozimet për drejtimin e këtyre shërbimeve diplomatike. Sakaq, tre emra të tjerë presin dekretimin e kreut të shtetit për të filluar zyrtarisht punën. Opozita pritet të mos bëhet pjesë e diskutimeve në komision, pasi e ka kontestuar këtë proces pak ditë më parë.

Emrat

Sipas propozimit të ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, Gazmend Barbullushi është caktuar të shkojë ambasador në Holandë. Aktualisht ai mbante funksionin e të ngarkuarit me punë në Republikën e Gjermanisë. Emri i dytë është ai i Fatos Kërçukut, që propozohet të jetë ambasador në Indi. Aktualisht ai mbante funksionin e të dërguarit me punë në Japoni. Propozimi i tretë është caktimi i Nuri Domit si ambasador në Mbretërinë Arabe të Egjiptit. Emri i katërt është ai i Sokol Gjokës, që ka marrë firmën për ambasador në Moskë. Përveç këtyre emrave që priten të diskutohen në Komisionin Parlamentar të Politikës së Jashtme janë edhe tre emra që presin firmën e kreut të shtetit. Ata u miratuan në mënyrë të njëanshme para pak ditësh në këtë komision, duke i kaluar Presidentit për dekretim. Këtu përfshihet Valter Ibrahimi, propozuar për ambasador në Republikën e Gjermanisë, Edmond Trako propozuar për ambasador në Portugali dhe Shpëtim Çaushi i propozuar për kryediplomatin shqiptar në Beograd. Pavarësisht këtyre emërimeve mbeten edhe disa përfaqësi diplomatike të vendit që nuk kanë plotësuar vendin e ambasadorit. Diçka e tillë ndodh me Francën, Spanjën, OKB-në, Japoninë, Malin e Zi dhe Maqedoninë. Ajo çka dihet paraprakisht është propozimi i emrit të Ferit Hoxhës, aktualisht sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, në detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në OKB.

Kontestimi

Opozita i ka kërkuar tashmë mirëkuptim mazhorancës që të mos zhvillojë seanca dëgjimore lidhur me emërimin e ambasadorëve. Kjo me arsyen se ka vetëm 3 muaj deri në momentin që do të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme dhe Kryeministri aktual nuk mund të emërojë ambasadorë, të cilët presupozohet se do të përfaqësojnë shtetin. "Menduam që duke qenë se ky problem nuk është zgjidhur dhe diplomacia shqiptare sot përballet me probleme vërtet serioze, nuk ka pse të bëhen arnime, duke sjellë kandidatura në emergjencë për ambasadorë në ato vende ku ka më se 10 muaj që kanë mbetur të pa mbuluar me ambasador", u shpreh nënkryetarja socialiste e Komisionit të Jashtëm, Arta Dade. Ajo ngriti sakaq edhe shqetësimin për lëvizjet e pajustifikuara në nivel ambasadorësh. "Këto nuk mund të bëhen pa një skemë totale dhe një zgjidhje përfundimtare të funksionimit e zbatimit të ligjit për shërbimin e jashtëm", tha ajo. Deputetët e Partisë Socialiste kanë kërkuar gjithashtu praninë e ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, jo vetëm për problemin e emërimit të ambasadorëve, duke pasur shkelje ligjore tashmë të bëra publike edhe në raste të tjera emërimesh ambasadorësh, por edhe për një sërë dukurish në shërbimin tonë diplomatik, siç janë rastet e korrupsionit në përfaqësitë tona diplomatike, apo në zyrat konsullore.

Tabelë

Emrat e ambasadorëve

Në Komisionin e Jashtëm

Gazmend Barbullushi Holandë

Fatos Kërçuku Indi

Nuri Domi Egjipt

Sokol Gjoka Rusi

Presin dekretimin

Valter Ibrahimi Gjermani

Edmond Trako Portugali

Shpëtim Çaushi Serbi



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›