Xhafa: Drafti ka probleme, të përfshihen propozimet
Komisioni i Ligjeve e ka shtyrë për të mërkurën shqyrtimin e projektligjit për administratën gjyqësore. Ashtu siç parashikohej, mbledhja e djeshme është zhvilluar mes debateve të deputetëve të opozitës dhe mazhorancës, por nuk është arritur në një përfundim të njëjtë, pasi opozita ka kërkuar të merren parasysh vërejtjet e saj për projektligjin. "Parimisht, PS-ja është dakord me draftin e propozuar nga qeveria", u shpreh Fatmir Xhafaj. Në fjalën e tij, nënkryetari socialist i Komisionit të Ligjeve u shpreh se në këtë projektligj është i nevojshëm një ndryshim esencial në fushën e gjykimit të mosmarrëveshjeve administrative. Ndaj PS-ja, shtoi ai, është e gatshme të kontribuojë seriozisht në këtë proces debati. Sipas Xhafajt, "krijimi i kësaj hallke të re për sistemin gjyqësor shqiptar është i domosdoshëm, por përpara se të strukturoret në një vendimmarrje ligjore duhet të kuptohet e vlerësohet shumë më mirë nga ne si ligjvënës se çfarë janë gjykatat administrative, cili është funksioni i tyre, me se merren, çfarë kompetencash kanë, si dallojnë nga gjykatat e sistemit të zakonshëm gjyqësor, si konceptohet piramida e gjykimit administrativ etj". Duke renditur disa nga ndryshimet që ekzistojnë midis gjykatës administrative dhe gjykatës së zakonshme, Xhafa konstatoi se kërkohet një debat i hapur dhe më i plotë mbi nevojën e krijimit të kësaj gjykate. Për deputetin socialist kërkohet harmonizimi i përmbajtjes dhe zgjidhjeve të këtij projektligji me ndryshime të njëkohshme në disa ligje të tjera të rëndësishme të legjislacionit procedural, civil dhe atij administrativ. Xhafaj u shpreh se duhet të jepen garanci reale nga ana e ekzekutivit për sigurimin e ambienteve të përshtatshme për gjykime që sigurojnë akses të plotë. Ndërsa mazhoranca, nëpërmjet deputetëve të saj dhe ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, konfirmoi se për hartimin e projektligjit është marrë për bazë edhe ekspertiza më e mirë ndërkombëtare, pasi gjykimi i një mosmarrëveshjeje administrative është një risi për Shqipërinë. Më tej, ministri theksoi se për hartimin e këtij drafti, Ministria e Drejtësisë ka kërkuar ndihmën e ekspertizës më të mirë ndërkombëtare, ndaj dhe në boshtin e vet, ky projektligj ka pikërisht këtë ekspertizë. Ministri u shpreh gjithashtu se "kemi parashikuar që administrata gjyqësore dhe ajo pjesë e administratës shtetërore që në çdo rast do të jetë pjesë e procesit gjyqësor administrativ, të kenë një kohë të mjaftueshme që t‘u nënshtrohen procedurave të trajnimit për zbatimin e këtij ligji". Kundër këtij projektligji u deklarua LSI-ja, e cila, nëpërmjet deputetit Spartak Braho, deklaroi se reformat e ministrit janë ende të paplota, prandaj kjo forcë politike do të vazhdojë ta kundërshtojë ligjin. Ky projektligj vjen si pjesë e paketës së reformës në drejtësi dhe po qëndron në tryezën e punës për gati gjashtë muaj, pasi opozita deri më tani nuk ka dhënë konsensusin e saj.