E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-PD, debat për vendimet e gjykatave

Deklarata e ministrit Alibeaj dy ditë më parë, se Shërbimi Përmbarimor ka realizuar gati 90% të punës së tij gjatë vitit 2008, është kundërshtuar nga deputetët e opozitës në seancën e djeshme parlamentare. Ermelinda Meksi i hodhi poshtë deklaratat e ministrit Alibeaj, duke thënë se shumë vendime gjykatash kanë mbetur të pazbardhura dhe shifrat që jep ministri janë të pavërteta. Duke u ndalur në disa çështje konkrete, deputetja Meksi theksoi se "përpara se ministri të dilte në konferencë, duhet të jepte përgjigje se përse nuk kërkon zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për Legalizimet apo për strehimin e shtetasve që janë në shtëpi të ish-pronarëve". Sipas deputetes, ministri duhet të japë përgjigje për faktin se nëpunësit e administratës, të hequr në vitin 2005, kanë fituar të gjitha gjyqet, por nuk janë sistemuar në punë. Këtyre ish-punonjësve, nënvizoi deputetja e PS-së, Meksi, jo vetëm që u duhet gjetur sistemimi, por u duhet dhënë edhe dëmshpërblimi për vendimet e padrejta. Më tej, Meksi me shifra dhe shkresa konkrete ka përmendura disa raste, sipas të cilave shtetas shqiptarë janë hequr me pa të drejtë nga puna, kanë fituar në gjykatë të drejtën e dëmshpërblimit dhe të kthimit në punë, por deri më tani nuk janë ekzekutuar vendimet nga Shërbimi i Përmbarimit. Por deklaratat e deputetes së PS-së u kundërshtuan nga ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Ai i vlerësoi si të pavërteta ato, duke i kujtuar deputetes Meksi se duhet të merrte informacione më të sakta dhe më të plota. Duke përmendur shifra konkrete, ministri Alibeaj theksoi se nga 18512 çështje në vitin 2008, ato janë ekzekutuar në masën 90 për qind. Duke folur për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, Alibeaj tha se kjo nuk i takon Përmbarimit, po procedurat janë në një mënyrë krejt të ndryshme nga sa pretendohet. "Suksesi i zyrave të përmbarimit tregon se shteti funksionon dhe kështu i jepet dinjitet sistemit gjyqësor të këtij vendi", sqaroi Alibeaj. Pjesë e debatit mes ministrit Alibeaj dhe deputetes së PS-së, Ermelinda Meksi, është bërë edhe ministria Majlinda Bregu, e cila i kujtoi deputetes së PS-së që nëse duan të respektojnë shtetin ligjor, së pari le të fillojë nga deputetët. Bregu tha se "shteti ligjor duhet të respektohet nga PS-ja, sepse deputetja Meksi bën mirë të kthejë makinën të cilën e mban peng që nga viti 2005 dhe që sot është kapur përsëri si shkelje nga KLSH-ja. Çështje e cila për fatkeqësi do të përcillet në prokurori". Sipas saj, ky është respekti i shtetit ligjor që kërkon PS-ja sot. Bregu premtoi se të enjten do t‘i depozitojë këtij Kuvendi të gjitha shkresat, me gjithë raportin e KLSH-së dhe korrespondencën nga viti 2005. Më tej, Bregu theksoi se sa për administratën, Meksi nuk mund të mbrojë asgjë, sepse fatkeqësisht, për tre vjet me zor u mbyllën negociatat e MSA-së.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›