Berisha nxjerr jashte loje Kuvendin, qeveris me akte normative
Eljona Ballhysa
Sesioni i ri parlamentar, që pritet të çelë punimet më 18 janar, e gjen opozitën shqiptare sërish jashtë sallës së Kuvendit. Bojkoti që opozita u ka bërë punimeve të Kuvendit ka sjellë një ngërç në zhvillimet legjislative, duke mbajtur në sirtarë projektligjet më të rëndësishme që përfshijnë kryesisht reformën në sistemin e Drejtësisë. Pavarësisht kësaj, përfaqësuesit më të lartë të qeverisë janë shprehur se nuk përbën problem bojkoti i opozitës, pasi një sërë projektligjesh mund të kalojnë në Kuvend në formën e akteve normative. Por, duke u bazuar në Kushtetutë, pikërisht në Nenin 101 të saj parashikohet se Këshilli i Ministrave ka të drejtë të nxjerrë akte normative, por vetëm në rast urgjence. Vetëm pak kohë më parë, brenda një seance parlamentare u miratuan jo pak, por 5 akte normative.
Precedenti
Në fund të muajit tetor, Parlamenti, në mungesë të opozitës, miratoi 5 akte normative, duke i dhënë në një pjese të tyre më tepër kompetencë kryeministrit Sali Berisha. Kuvendi votoi me 71 vota pro aktin “Për dërgimin e një toge mjekësore të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në Kabul, Afganistan”. Akti tjetër normativ ka të bëjë me heqjen e kompetencës së zëvendëskryeministrit për të qenë kryetar i Komisionit qeveritar të Tokës. Ky ndryshim i ligjit “Për verifikimin e titujve të pronësisë” është bërë nga Kuvendi në formën e aktit normativ. Do të jetë qeveria ajo që do të përcaktojë se cili ministër do ta drejtojë Komisionin e Tokës. Në seancë u miratuan edhe aktet e tjera, si: “Për një ndryshim në ligjin ‘Për regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë dhe të banesave’, të ndryshuar”; “Për një ndryshim në ligjin ‘Për Fondin Shqiptar të Zhvillimit’”; “Për një ndryshim të ligjit ‘Për nënshkrimin elektronik’”.
Kushtetuta
Ndërkohë që miratimi i akteve normative është gjetur si zgjidhje nga qeveria dhe maxhoranca, në Kushtetutë parashikohet se këto akte mund të nxirren vetëm në rast urgjence. “Këshilli i Ministrave, në rast nevoje dhe urgjence, nën përgjegjësinë e tij, mund të nxjerrë akte normative që kanë fuqinë e ligjit, për marrjen e masave të përkohshme. Këto akte normative i dërgohen menjëherë Kuvendit, i cili mblidhet brenda 5 ditëve nëse nuk është i mbledhur. Këto akte humbasin fuqinë që nga fillimi, në qoftë se nuk miratohen nga Kuvendi brenda 45 ditëve”, - shkruhet në Nenin 101 të Kushtetutës. Pikërisht kjo praktikë nuk mund të zbatohet për miratimin e projektligjeve të rëndësishme që janë pjesë e paketës ligjore për reformën në sistemin e Drejtësisë. Një sërë projektligjesh të rëndësishme do të vazhdojnë të mbeten peng i bojkotit të opozitës duke sjellë anomali të procesit ligjvënës, pavarësisht deklaratave optimiste të maxhorancës dhe kryeministrit Berisha.
Sesioni i ri parlamentar, me projektligje të mbartura
Sesioni i ri parlamentar, që në bazë të Rregullores së Kuvendit nis punimet të hënën e tretë të muajit të parë, dhe konkretisht më 18 janar, parashikon një axhendë të ngjeshur punimesh. Kryesisht pjesë e axhendës së ligjvënësit janë projektligje të mbartura prej muajsh, madje vitesh. Për më shumë se dy vjet reforma në Drejtësi ka mbetur peng i mosmarrëveshjeve politike mes maxhorancës dhe opozitës. Mungesa e opozitës në Kuvend sjell mosmiratimin e një sërë projektesh të rëndësishme që kërkojnë 3/5 e votave për t’u miratuar; e përkthyer ndryshe, duhen 84 mandate deputetësh. Gjatë sesionit të parë të kësaj legjislature që sapo mbylli Kuvendi, maxhoranca u përpoq disa herë të diskutojë dhe të miratojë projektligje të ndryshme, të cilat vijnë si pjesë e paketës së reformën në Drejtësi. Qeveria dhe konkretisht Ministria e Drejtësisë, kanë paraqitur në Kuvend draftet për ndryshimet që kërkohen të bëhen në sistemin e Drejtësisë. Drafte që flenë në tryezën e punës së Komisionit të Ligjeve pasi pritet që të jetë prezent në Komision edhe opozita, për të vijuar me diskutimin e saj. Deri tani, pavarësish thirrjeve të vazhdueshme të maxhorancës, përpjekja për të pasur opozitën në Kuvend dhe për të diskutuar këto projektligje ka dështuar nga ana e maxhorancës dhe kjo mbetet një betejë për t’u vijuar në sesionin e ri. Për maxhorancën është i rëndësishëm miratimi i projektligjit për Gjykatën Administrative, projektligji për reformimin e KLD-së, projektligji për administratën gjyqësore, reformimi ligjit për Prokurorinë, por edhe miratimi i projektligjeve për ndryshimet që kërkohen të bëhen në Kodin Penal, Kodin Rrugor, Kodin Ajror, Kodin Detar etj.
Rregullorja
Neni 42
Sesionet e punimeve të Kuvendit
1. Kuvendi i zhvillon punimet vjetore në dy sesione. Sesioni i parë i punimeve të Kuvendit fillon të hënën e tretë të janarit, ndërsa sesioni i dytë të hënën e parë të shtatorit. Data e mbarimit të sesionit dhe ora e fillimit të sesionit të ri të punimeve të Kuvendit njoftohen nga kryetari i Kuvendit.
2. Kuvendi thirret në sesion të jashtëzakonshëm me kërkesë të motivuar me shkrim të Presidentit të Republikës, të kryeministrit ose të paktën një të pestës së të gjithë deputetëve. Kryetari thërret mbledhjen e Kuvendit jo më vonë se 3 ditë nga paraqitja e kërkesës, mbi bazën e një rendi dite të mbledhjeve të komisioneve dhe të seancës plenare të përcaktuar prej tij.
Kushtetuta
Neni 101
Këshilli i Ministrave, në rast nevoje dhe urgjence, nën përgjegjësinë e tij, mund të nxjerrë akte normative që kanë fuqinë e ligjit, për marrjen e masave të përkohshme. Këto akte normative i dërgohen menjëherë Kuvendit, i cili mblidhet brenda 5 ditëve nëse nuk është i mbledhur. Këto akte humbasin fuqinë që nga fillimi, në qoftë se nuk miratohen nga Kuvendi brenda 45 ditëve.
Projektligjet që duan 84 vota
-Gjykimi për mosmarrëveshjet administrative
-Për administratën gjyqësore
-Për Konferencën Gjyqësore
-Për organizimin e KLD-së
-Për Gjykatën e Lartë
-Kodi Penal
-Kodi Civil
-Kodi Hekurudhor
-Kodi Doganor
-Kodi Ajror
-Kodi Rrugor
-Kodi Detar
5 Janar 2010