Përmbytje edhe në Fushë-Kuqe, dëmtohen 30 banesa
KURBIN – Jo vetëm në Shkodër dhe Lezhë janë regjistruar dëme. Të paktën 30 banesa janë mbuluar nga uji si dhe janë përmbytur mbi 30 hektarë në komunën e Fushë-Kuqes në rrethin e Kurbinit. Një shtëpi është shembur tërësisht, por pa shkaktuar viktima. Familjarët refuzuan që të lënë banesat e tyre për shkak të vjedhjeve që janë shtuar gjatë këtyre ditëve. Sipas kryeplakut të fshatit Fushë–Kuqe, Kismet Vata, “përmbytja e banesave të tyre nuk ka ardhur për shkak të reshjeve, por nga batica e detit, ku uji fillimisht është futur në lagunë dhe më pas nëpër banesa. Dëmi më i madh, sipas Vatës, është shkaktuar në kulturat bujqësore, ku uji i kripur dëmton në masë të konsiderueshme tokat. Kryeplaku thotë se qeveria nuk ka marrë në konsideratë alarmin e dhënë nga komuna për investimet në argjinaturat për të paraprirë një situatë të tillë. Sipas Vatës, sistemi i kanalizimeve është i bllokuar. “Ndërtesat janë ngritur para viteve ’90 dhe deri tani nuk ka pasur përmbytje, gjë që tregon se qeveria nuk e ka marrë në konsideratë ndërtimin e bankinës në një zonë prej 3 apo 4 kilometra”, - thotë kryeplaku i Fushë-Kuqes. Burime në komunë bëjnë të ditur se është paraqitur një projekt pranë qeverisë për ngritjen e argjinaturës, me një fond prej 20 milionë lekësh, por ai ka mbetur në sirtarët e zyrave të pushtetit vendor.
Në qarkun e Lezhës situata është përmirësuar pas ndërhyrjeve të ushtrisë. Por ende nuk është larguar rreziku në zonën e Tales dhe Ishull Shëngjinit. Banorët thonë se vazhdojnë të jenë të bllokuar grykëderdhjet e kanaleve kulluese që largojnë ujin nga banesat e tyre në bregdet.
5 Janar 2010