E Diel, 1 Nëntor 2026

Procedura e shitjes së makinave të deputetëve dhe zyrtarëve të lartë

Botohet në Fletoren Zyrtare procedura e organizimit të ankandit. Dokumentacioni i nevojshëm dhe personat favoritë për blerjen
Pas vendimit të qeverisë për heqjen e makinave deputetëve dhe zyrtarëve të tjerë të lartë, qeveria ka miratuar së fundi një udhëzim për mënyrën e shitjes së tyre dhe organizimit të ankandit. Vendimi i Këshillit të Ministrave ka hyrë së fundi në fuqi duke u botuar në Fletoren Zyrtare. Në këtë vendim parashikohet mënyra e përcaktimit të vlerës së automjeteve, mënyra e organizimit të ankandit, e drejta e parablerjes nga zyrtari që e ka pasur në dorëzim automjetin, 50% ulje të çmimit për efekt të amortizimit, si dhe mundësia e pagesës me këste.
Procedura
Në bazë të ligjit, institucioni përkatës harton listën e mjeteve të transportit që do të shiten së bashku me të dhënat përkatëse për vitin e prodhimit, markën dhe modelin që më pas ia dërgon zyrës doganore më të afërt. Ky institucion, brenda pesë ditëve kalendarike, përgjigjet zyrtarisht për vlerën që rezulton për secilin automjet, nga tabelat e buletineve që pasqyrojnë vlerën e shitjes në tregjet europiane. Titullarët e autoriteteve shitëse, brenda 3 muajve nga marrja e përgjigjes nga zyra doganore, ngrenë komisionet e ankandit. Komisioneve të ankandit u vihet në dispozicion inventari i mjeteve të transportit, në pronësi të autoritetit shitës, duke përcaktuar ato mjete që u janë dhënë në përdorim titullarëve, zyrtarëve apo nëpunësve të tjerë dhe që posedohen prej tyre, si dhe i gjithë dokumentacioni për këto mjete transporti. Ngarkohen komisionet e ankandit që, në emër të autoritetit shitës, në përputhje me dispozitat e ligjit dhe të këtij vendimi, të organizojnë procedurat e ankandit për mjetet e transportit në pronësi të autoritetit shitës.
Dokumentet
Komisionet e ankandit, brenda dy muajve nga data e krijimit, hartojnë dokumentet e ankandit. Komisionet e ankandit, në emër të autoritetit shitës, në mbledhjen e parë vendosin për formën e komunikimit të dokumentacionit të lidhur me ankandin. Gjithashtu komisionet mund të vendosin të publikojnë të gjitha njoftimet dhe dokumentacionin e ankandit, apo njoftimin për vendin se ku të interesuarit mund ta sigurojnë këtë dokumentacion, në faqen zyrtare të internetit të secilit institucion. Identifikimi i objektit të shitjes bëhet nga komisioni, në bazë të inventarit, të vënë në dispozicion nga autoriteti shitës. Komisioni harton materialin shpjegues, me karakteristikat e secilit objekt që do të shitet, material që është pjesë e dokumentacionit për ankandin dhe duhet të përshkruajë qartë objektin që do të shitet me ankand, duke iu referuar aktit të pronësisë mbi objektin apo aktit ligjor të disponibilitetit të tij, si dhe foto të tij. Materiali duhet të përmbajë vlerën fillestare të ankandit të mjetit të transportit dhe të përshkruajë metodologjinë e përdorur për vlerësimin e objektit të shitjes. Nga përshkrimi duhet të dalë gjendja funksionale e objektit të shitjes nga pikëpamja teknike, estetike dhe funksionale.

Si llogaritet vlera fillestare e automjetit

Komisionet, për të llogaritur vlerën e mjetit të transportit që do të dalë në ankand, do t’i referohen tabelës së dërguar nga zyra doganore, e cila ka përdorur si burim informacioni buletinet që pasqyrojnë çmimet e shitjes në tregjet europiane. Vlerës së gjendur në tabelë i zbritet 50% si koeficient amortizimi për shkak të përdorimit të mjetit në territorin e Republikës së Shqipërisë. Vlera e mbetur është vlera e mjetit të transportit, e cila do të jetë edhe vlera fillestare e ankandit. Komisioni i ankandit, pas llogaritjes së vlerës fillestare, harton njoftimin, i cili, së bashku me dokumentacionin për mjetin, i ofrohet, së pari, nëse ka, zyrtarit në dispozicion të të cilit është mjeti, i cili duhet që, brenda tri ditëve pune, të kthejë përgjigje me shkrim për pranimin ose jo të ofertës, si dhe për kushtet e pagesës. Për vlera më të mëdha se një milion lekë, zyrtari, në dispozicion të të cilit është mjeti, që gëzon të drejtën e parablerjes dhe që ka pranuar ofertën, ka të drejtë të kërkojë shlyerjen e pagesës me këste, të cilat nuk mund të jenë më të vogla se pesëqind mijë lekë për çdo vit pasardhës, me kusht që të shlyejë menjëherë, të paktën këstin e parë prej një milion lekësh. Kontrata e shitjes duhet të përmbajë edhe kushtet e pagesës, nëse ka, dhe nënshkruhet nga blerësi dhe titullari i autoritetit shitës.
Nëse nuk ka posedues të mjetit apo në rastet kur blerja është refuzuar nga personi, i cili ka pasur të drejtën e parablerjes mbi mjetin, objekt i ankandit, atëherë kalohet në procedurën e hapur. Në procedurën e hapur, komisioni i ankandit, në emër të autoritetit shitës, publikon në faqen zyrtare të internetit të institucionit përkatës njoftimin e ofertës për fillimin e procedurave. Njoftimi dhe dokumentacioni, në varësi të vendimit të marrë nga komisioni, qëndron i publikuar apo vihet në dispozicion të të interesuarve për një periudhë 1-mujore, kohë gjatë së cilës çdo i interesuar mund të paraqesë ofertën e vet pranë komisionit. Njoftimi, në këtë rast, duhet të sqarojë edhe vendin se ku duhet paraqitur oferta.

Sqarimet dhe ndryshimi në dokumentacionin e ankandit

Ofertuesi i mundshëm mund të kërkojë nga komisioni i ankandit sqarime shtesë për objektin që do të shitet në ankand dhe komisioni duhet t'i përgjigjet çdo kërkese për sqarim të dokumenteve të ankandit të bërë nga çdo i interesuar, me kusht që kërkesa të jetë marrë jo më vonë se 5 ditë para afatit përfundimtar të dorëzimit të ofertave. Komisioni duhet të përgjigjet brenda 3 ditëve nga depozitimi i kërkesës, në mënyrë që të bëjë të mundur dorëzimin e ofertës në kohë nga i interesuari. Komisioni, pa identifikuar burimin e kërkesës, në të njëjtën mënyrë siç ka shpërndarë dokumentacionin e lidhur me ankandin, duhet të shpërndajë edhe sqarimet shtesë në mënyrë që edhe të gjithë të interesuarit e tjerë të vihen në dijeni. Të interesuarit e tjerë, që kanë depozituar ofertat e tyre dhe janë në dijeni të sqarimeve shtesë, kanë të drejtë ta zëvendësojnë ofertën e dorëzuar me një tjetër, brenda 48 orëve nga shpërndarja e njoftimit. E njëjta procedurë ndiqet edhe në rastin kur komisioni, përpara mbarimit të afatit të fundit për dorëzimin e ofertave të ankandit dhe për çfarëdolloj arsyeje, me nismën e vet, mund të bëjë ndryshime në dokumentet e ankandit përmes hartimit të një shtojce. Çdo shtojcë u komunikohet menjëherë të gjithë kandidatëve blerës që kanë depozituar ofertën dhe bëhet detyruese për ta. Shtojca vihet në dispozicion të të interesuarve me të njëjtën mënyrë të përdorur për shpërndarjen e dokumentacionit për ankandin.

5 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›