Ndryshimet në sistemin fiskal, ligjet e reja që i shtojnë kostot biznesit këtë vit
Ervin KOÇI
Biznesi e ka nisur këtë vit me ndryshime të mëdha në sistemin e taksave dhe tatimeve. Me nisjen e vitit 2010, ose më saktë pas datës 1 janar kanë hyrë në fuqi dhe disa ligje fiskale të reja, ose të ndryshuara të cilat janë kthyer në kosto shtesë për biznesin shqiptar të goditur nga kriza. Kësaj bare i është shtuar edhe vendimi i qeverisë i marrë që vitin e kaluar, për të rritur një pjesë të taksave dhe tatimeve, që rëndojnë direkt mbi aktivitetin dhe fitimet e biznesit. Gjatë ditëve të fundit të vitit 2009, komuniteti i biznesit u habit kur pa se qeveria vendosi në rend dite në Kuvend dhe miratoi ndryshimet në projektligjin "Për procedurat tatimore". Në javët e fundit të dhjetorit 2009, Ministria e Financave kishte kaluar për mendim në Këshillin Konsultativ të Biznesit katër projektligje, atë "Për akcizat", "TVSH"-në, "Tatimi mbi të Ardhurat Personale", si dhe "Lojërat e Fatit", kurse "Procedurat tatimore", ligji kryesor fiskal në vend u shmang nga diskutimet, duke kaluar direkt për votim në Kuvend. Nga Ministria e Financave nuk u dha asnjë reagim, kurse bizneset e kategorive të ndryshme shprehen të shqetësuar për mungesën e komunikimit me qeverinë. Ndërtuesit janë njohur me projektligjin përmes medieve dhe po ashtu edhe industrialistët e tekstileve. Të dy këta sektorë kanë të punësuar mbi 300 mijë vetë dhe ndryshimi i papritur i ligjit mund t‘i rrezikojë situatën ekonomiko-financiare.
Ndryshimi i pragut
Bashkë me ligjin e ri “Për procedurat tatimore” këtë vit hyri në fuqi edhe ai “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”. Ndryshimet në këtë ligj prekën një numër të madh subjektesh biznesi që deri dje klasifikoheshin si subjekte të vegjël dhe nuk e bënin pagesën e TVSH-së. Ndryshimi i miratuar në këtë ligj për ndryshimin e pragut të xhiros për subjektet nga 8 në 5 milionë lekë xhiro në vit, bëri që rreth 12 mijë subjekte private në të gjithë vendin të klasifikohen si biznese të mëdha dhe që nga 1 janari 2010, ato duhet të bëjnë pagesën e TVSH-së.
TAP-i
Edhe pagesa për Tatimin mbi të Ardhurat Personale është rritur këtë vit për subjektet e biznesit të vogël. “Kjo kategori tatimpaguesish do të vazhdojë të jetë subjekt i Tatimit mbi të Ardhurat Personale, taksës vendore pranë bashkive apo komunave dhe për kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, detyrimin për deklarim e të cilave do të vazhdojë të jetë çdo 3 muaj", nënvizon qarkorja e DPT-së.
Kasat fiskale
Një nga ligjet më të përfolura që ka shoqëruar një proces të tërë gjatë vitit 2009 ka qenë dhe ai për instalimin e kasave fiskale tek subjektet private. Sipas ligjit të Financave, viti 2010 duhet ti gjente të gjitha subjektet e biznesit të madh, përfshi edhe ato që kanë ndryshuar pragun e xhiros vjetore, me kasa fiskale të instaluara. Këto biznese duhet të bëjnë kujdes për çështjen e faturës me TVSH. Sipas qarkores së lëshuar nga DPT-ja, "të dyja kategoritë (8 dhe 5 milionë lekë), do të pajisen me faturë tatimore me TVSH pranë drejtorive rajonale tatimore në momentin e regjistrimit si tatimpagues të TVSH-së dhe duhet të lëshojnë faturë fiskale apo të llogarisin TVSH-në mbi furnizimet e tyre që nga momenti i regjistrimit”.
Ndryshimet e tjera
Përveç ligjeve të mësipërme që pësuan ndryshime duke i rritur koston biznesit, rritje pati edhe për pagesën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për subjektet private. Po ashtu ndryshime pësoi edhe ligji “Për akcizat” i cili bëri që disa prej produkteve të konsumit dhe mjaftë produkte të tjera ndër të cilat edhe hidrokarburet të pësojnë rritje. Ndryshimet prekën gjatë vitit 2009 edhe ligjin “Për lojërat e fatit dhe kazinotë”, duke bërë që nga ky vit që kemi nisur, taksat për të gjithë lojërat e fatit dhe kazinotë në vend të kushtojnë më shtrenjtë. Gjithashtu qeveria shtrenjtoi edhe çmimin që paguhet për marrjen e licencës për hapjen e bizneseve për lojërat e fatit apo kazinotë, edhe pse liberalizoi dhënien e tyre.
Shkurt/////////////////////////
Parashikimet, Leku më i dobësuar në vitin 2010
Viti 2010 ndryshe nga se ishim mësuar në 3 katër vitet e mëparshme, ka hyrë me një monedhë vendase shumë më të dobësuar. Efektet e krizës nuk kanë kursyer as tregun valutor. Raportet e lekut si ndaj euros ashtu edhe ndaj dollarit kanë ndryshuar ndjeshëm në harkun e një viti. Kështu në 2 janar të këtij viti, leku këmbehej me 135.5 euro në blerje ndërkohë që në ditën e fundit të vitit pikat e këmbimit monetar e shkëmbyen atë edhe më shtrenjtë. Për sa i takon monedhës amerikane, leku u shkëmbye zyrtarisht në ditët e para të vitit me 93.3 dollarë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ndryshimet janë të ndjeshme. Një vit më parë një euro këmbehej me 122.8 lekë dhe një dollar me 87.7 lekë. Kësaj situatë nuk ka mundur ti bëjnë ballë as prurjet e emigrantëve për fundvit.
Bursa europiane e nis mbarë vitin 2010
Bursat evropiane përmes treguesve të shënuar gjatë ditëve të para të vitit të ri, i cili sapo ka nisur, flasin për një fillim të mbarë të tij. Këtë fakt e pohojnë ekspertët e bursës, sipas të cilëve në rritjen e nivelit të treguesve të bursave më të rëndësishme ka ndikuar nisja që nga viti i kaluar i rritjes në të gjitha tregjet evropiane të aksioneve të aksioneve kryesisht për materialet e papërpunuara, ato bankare dhe të sigurimit. Ndërkaq, listat e çmimeve flasin edhe për dhëna të caktuara makroekonomike të cilat konfirmojnë kohën më të mirë të prodhimit kinez industrial. Kështu, treguesit pozitivë të ekonomisë kineze, duket se kanë ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe për bursën evropiane.
5 Janar 2010