KESH: Kaskadat mbi Drin janë në rrezik, do të vazhdojmë me shkarkimin e ujit
Përmbytjet në zonat veriperëndimore të vendit duket se do të vazhdojnë edhe në ditët që vijnë. Kështu të paktën deklarohet nga KESH-i, i cili edhe dje ka njoftuar vazhdimin e derdhjes së sasive të mëdha të ujit nga hidrocentralet e mëdha mbi Drin. Gjatë ditëve të fundit KESH-i e ka rritur nivelin e shkarkimeve të ujit në kaskadën e lumit Drin, duke u munduar që të mbajë nën kontroll situatën e prurjeve në të tre HEC-et e mëdha, por, nga ana tjetër, ka vijuar edhe me eksportin e energjisë elektrike jashtë vendit. Burime zyrtare nga KESH-i njoftuan dje se nga liqeni i Fierzës po shkarkohen 440 metra kub ujë në sekondë, në Koman 500 metra kub ujë në sekondë dhe në Vaun e Dejës 700 metra kub ujë në sekondë. Në përpjekje për të normalizuar situatën hidrike, Korporata ka çuar në nivelet rekord të 27.2 milionë kilovat/orë në ditë prodhimin e energjisë elektrike. “Prurjet rekord prej 1 mijë metra kub ujë për sekondë e kanë ngritur nivelin e ujit në hidrocentrale në maksimumet historike. Kemi shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në KESH dhe OST. Nga Fierza po shkarkojmë 460 m/kub në sekondë, nga Komani 900 m/kub në sekondë dhe po e njëjta sasi nga Vau i Dejës. Jemi të detyruar të bëjmë shkarkimet e duhura për të mos rrezikuar gjithë vendin”,- ka deklaruar drejtori i KESH-it, Muharrem Stojku. KESH-i njofton gjithashtu se të gjitha hidrocentralet janë duke punuar me kapacitetin maksimal, por kjo nuk mjafton për të përballuar nivelin e lartë të prurjeve. “Objektet po punojnë me fuqinë maksimale. Po eksportojmë 11.5 milionë kilovat/orë në ditë”, - shton Stojku. Niveli i ujit në Fierzë ka arritur në 293.2 metra nga 296 metra që është pika kritike. Energjia e prodhuar nga hidrocentralet jo vetëm që plotëson kërkesat në vend, por një sasi e konsiderueshme po depozitohet në rrjetin ndërkombëtar, si dhe po eksportohet. Aktualisht shiten 11.5 milionë kilovat/orë energji në ditë. Drejtuesit e KESH-it thanë dje se, “eksporti do të vazhdojë në këto nivele deri në fund të muajit”. Shkarkimet e ujit dhe prodhimi në nivelet rekord ka ulur me 32 centimetra nivelin e ujit në liqenin e Fierzës.
E. Koçi
5 Janar 2010