E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëshqitja e dheut rrezikon 6 banesa në Librazhd

LIBRAZHD - Mesditën e së hënës, në fshatin Karkavec të Librazhdit, ka pasur rrëshqitje të theksuara të dheut, gjë që ka vënë në rrezik 6 banesa të këtij fshati. Tri banesa të këtij fshati kanë dëmtime shumë serioze, ndërkohë që nga zyra e Emergjencave Civile në prefekturë është kërkuar evakuimi i banorëve, pasi rrezikojnë seriozisht jetën e tyre. Burime zyrtare bëjnë të ditur se në fshatin Karkavec ka pasur edhe fundosje të tokës, çka e bën më problematike situatën. Reshjet e shiut kanë favorizuar zhvendosjet masive të dherave dhe rrezikimin e banesave.

Shembja e urës izolon 5 mijë banorë

GRAMSH - Shembja e një ure ka izoluar banorët e 3 fshatrave në Gramsh. Reshjet e ditëve të fundit kanë dëmtuar një pjesë të aksit që lidh këto fshatra me komunën Kukur. Gjendja është rënduar së tepërmi pasi rrëshqitjet e dheut dhe shembjet shkaktuan dhe dëmtimin e urës në vendin e quajtur Pishat, duke izoluar kështu rreth 5000 banorë të zonës. Të udhëtosh në këtë rrugë, gjendja e së cilës është e rrezikshme, është pothuajse e pamundur. Megjithatë, banorëve u duhet ta përshkojnë atë çdo ditë në këmbë, ndërsa kalimi në anën tjetër bëhet përmes shtigjeve që përdoren vetëm nga këmbësorët. Specialistët pohojnë se për t’u lidhur me fshatrat Rovie, Beqiraj dhe Kukur duhet të ndërtohet një urë e re.

5 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›