E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha nxjerr me forcë administratën në mitingun e NATO-s

Urdhri i kryeministrit bie ndesh me ligjin për nëpunësin civil dhe me Kodin e Punës. Qeveria i detyron forcërisht punonjësit që të mbushin sheshin “Skënderbej” në mitingun e së dielës

Shaban Sulçe

Ceremonia festive e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO është njollosur nga një urdhër kryeministror i paprecedentë. Të gjithë punonjësit e administratës publike dhe të institucioneve qendrore, të cilët nuk do të marrin pjesë në mitingun madhështor që do të organizojë qeveria me rastin e anëtarësimit në NATO, rrezikojnë të gjobiten apo të pushohen nga puna. Refuzimi për të marrë pjesë në këtë miting do të cilësohet si thyerje e urdhrit të drejtpërdrejtë të kryeministrit Sali Berisha. Ky i fundit u ka dërguar një urdhër të brendshëm të gjithë drejtuesve të administratës publike dhe institucioneve qendrore, ku u kërkon që ata dhe të gjithë vartësit e tyre të jenë të pranishëm me detyrim në mitingun që do të organizojë qeveria në datën 5 prill, me rastin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Kryeministri Berisha ka kërkuar me insistim që të tejmbushet sheshi “Skënderbej” gjatë kohës kur ai dhe ministrat e qeverisë së tij do të flasin për integrimin e Shqipërisë në strukturën euroatlantike.
Një veprim i tillë shpreh qartë planin e qeverisë dhe të kryeministrit Berisha për të privatizuar si sukses personal anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, por gjithashtu ky urdhër është një shkelje flagrante e ligjit për statusin e nëpunësit civil si dhe e Kodit të Punës.

Dokumenti

Gazeta “Albania” publikon sot ekskluzivisht dokumentin në të cilin shprehet qartë plani i qeverisë për të mbushur sheshin “Skënderbej” duke i detyruar të gjithë punonjësit e shtetit që të marrin pjesë në ceremoninë festive që do të organizohet mbrëmjen e 5 prillit. Urdhri i kryeministrit Berisha u është shpërndarë të gjitha dikastereve shtetërore, të cilat, nga ana e tyre, kanë marrë masat për të njoftuar të gjithë eprorët, të cilët do të kenë përgjegjësinë për të çuar në miting vartësit e tyre.
Gazeta “Albania” publikon sot dokumentin që bën fjalë për zbatimin e urdhrit të kryeministrit Berisha, që është shpërndarë në Ministrinë e Punëve të Jashtme. “Me rastin e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut Verior, me urdhër të kryeministrit, zotit Sali Berisha, të gjithë punonjësit e institucioneve qendrore duhet të marrin pjesë në aktivitetet që do të zhvillohen në këto ditë historike për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në zbatim të këtij urdhri, drejtorët në Ministrinë e Punëve të Jashtme kanë përgjegjësinë që të sigurojnë prezencën e të gjithë nëpunësve në orën 17:00, ditën e diel, datë 05.04.2009, në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ku do të jepet informacioni në lidhje me vendin e caktuar për stafin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, gjatë aktivitetit”, - thuhet në këtë dokument të Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Urdhri
Edhe pse është pushimi, pra ditë e diel, të gjithë punonjësit e aparatit shtetëror, nëpunës civilë, zyrtarët etj., duhet të paraqiten në zyrat e tyre në orën 17:00. Kjo është bërë e qartë në urdhrin e kryeministrit Berisha. Pjesëmarrja e punonjësve dhe zyrtarëve në punë do të verifikohet nga eprorët e tyre, të cilët më pas do t’u kërkojnë që të jenë të pranishëm në mitingun që qeveria ka planifikuar të organizojë po ditën e diel në sheshin “Skënderbej”, në orën 19:00. Ky urdhër i kryeministrit Berisha bie ndesh dhe shkel rëndë Kodin e Punës, pasi ky urdhër i detyron punonjësit që të shkojnë në punë ditën e diel, edhe pse kjo është ditë zyrtare pushimi. Por urdhri gjithashtu bie ndesh dhe shkel rëndë ligjin për statusin e nëpunësit civil, pasi ky ligj shpreh qartë se nëpunësi civil është në shërbim të qytetarëve dhe larg politizimit apo pjesëmarrjes në mitingjeve të qeverisë dhe politikës.

Më 7 Mars Berisha i detyroi mësuesit të vinin në mitingun e tij

Nuk është hera e parë që kryeministri Berisha dhe ministrat e tij i detyrojnë me forcë punonjësit e shtetit që të marrin pjesë në aktivitetet ku flet kryeministri Berisha. Kjo ndodhi edhe më 7 Mars, në Pallatin e Kongreseve, me rastin e Ditës së Mësuesve, ku mësuesit nga të gjitha qytetet e vendit u detyruan nga drejtoritë arsimore të rretheve që të udhëtonin me qindra kilometra për të ndjekur fjalën e kryeministrit Berisha. Ceremonia festive e takimit të 7 Marsit zgjati vetëm 20 minuta, ndërkohë që arsimtarët që kishin ardhur nga rrethet e largëta të vendit për të mbushur Pallatin e Kongreseve më pas janë detyruar të dëgjojnë për një orë fjalën e kryeministrit Berisha. Ky i fundit e shfrytëzoi këtë takim vetëm për të paraqitur sukseset e vetëshpallura të qeverisjes së tij gjatë këtyre katër viteve.
Qindra mësuesve nga rrethe të largëta si Korça, Gjirokastra, Kukësi, Vlora dhe Berati u ishte kërkuar me detyrim nga drejtoritë arsimore që të merrnin pjesë në këtë takim.

Topalli u akuzua nga opozita për këtë fenomen

Edhe kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, është bërë një zbatuese besnike e praktikave të kryeministrit Sali Berisha. Sa herë që kryetarja e Kuvendit ka zhvilluar takime në rrethe dhe komuna të ndryshme të vendit, punonjësit e administratës shtetërore në këto vende janë detyruar që të ndërpresin punën dhe të marrin pjesë me detyrim në takimet që ka zhvilluar Topalli. Pak kohë më parë, kryetarja e Parlamentit u akuzua nga deputetët e opozitës se me vizitat e saj në rrethe bëhej shkak i ndërprerjes së orëve të mësimit për nxënësit. Kjo pasi arsimtarët urdhëroheshin nga funksionarët e Partisë Demokratike që të ndërprisnin mësimin dhe të merrnin pjesë në takimet që zhvillonte kryetarja e Kuvendit dhe nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina TOpalli.

4 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›