Reagon Ministria e Brendshme: “Opozita të bashkëpunojë në verifikimin e listave”
Ministria e Brendshme ka hedhur poshtë deklaratat e PS-së se në listat e personave pa pasaportë nuk janë pasqyruar të gjithë shtetasit. Zëdhënësi i Ministrisë, Fatmir Konja, i ka bërë thirrje opozitës të bëhet pjesë e verifikimeve. “Nga verifikimet e kryera deri tani nga Ministria e Brendshme rezulton se ky pretendim i opozitës nuk qëndron. Pavarësisht nga kjo, Ministria e Brendshme është e gatshme të kryejë verifikime të përbashkëta me përfaqësues të opozitës për të gjithë ata qytetarë që opozita pretendon se nuk kanë pasaportë dhe nuk figurojnë në listat e publikuara të personave pa pasaportë për udhëtim jashtë shtetit”, - theksoi Konja. Gjithashtu, Ministria e Brendshme u ka bërë apel qytetarëve të tërheqin letërnjoftimet e reja për të gjithë ata që kanë aplikuar deri më datën 20 mars. “Tërheqja në kohë e letërnjoftimeve nga qytetarët lehtëson mbarëvajtjen e procesit”, - deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme.
4 Prill 2009