Zgjedhja e kreut të FRPD-së, Bogdani përballë Gjetës
Burime nga selia blu deklaruan se gara për postin e kryetarit të Forumit Rinor të PD-së do të bëhet tashmë edhe më interesante, pasi përveç Gerti Bogdanit, që e shpalli kandidaturën e tij pak ditë më parë, një emër i njohur në strukturat rinore të FRPDSH-së ka shpallur hyrjen në këtë garë. Me propozim nga baza del tashmë në skenë Ylber Gjeta, një i ri me angazhim të hershëm në strukturat e Forumit Rinor të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Baza e Forumit Rinor të PDSH-së ka kërkuar që përballë Bogdanit, kandidatit të shpallur publikisht edhe në media, të jetë edhe Gjeta, me kontribut në FRPDSH. Deri tani, emrat e njohur të PD-së nuk janë shprehur hapur se cilin prej dy kandidaturave të shpallura do të mbështesin, por e sigurt është se Ylber Gjeta ka mbështetjen e bazës së strukturës rinore të selisë blu, prej nga vjen edhe vetë. Gjeta njihet për kontributin e tij në rininë e PDSH-së. Ai ka qenë kryetar i Unionit të Pavarur Studentor dhe drejtues i grevës studentore të vitit 1998. Kandidimi i Gjetës e bën garën për kreun e FRPDSH-së më interesante dhe e kthen atë në një “betejë të ashpër”, duke pasur parasysh që të rinjtë demokratë do të zgjedhin një prej anëtarëve të tyre të njohur prej kohësh.
4 Prill 2009