E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita kërkon informacion nga kompania franceze për kartat e identitetit

Islami: “Qeveria deklaron se s’ka marrëveshje me kompaninë për dhënie informacioni”. Subashi: “Pushteti vendor është vonë me paraqitjen e listave të zgjedhësve”

Eljona Ballhysa
Komisioni i posaçëm Parlamentar për Monitorimin e Procesit Zgjedhor ka rënë dakord dje, pas kërkesës së deputetëve të opozitës, që të thërrasë në mbledhjen e ardhshme përfaqësues të kompanisë franceze Sagem në lidhje me prodhimin e kartave të identitetit. Sipas nënkryetarit të këtij komisioni, Kastriot Islami, kjo kërkesë ka ardhur për shkak se Ministria e Brendshme është shprehur shpeshherë se qeveria në kontratë me kompaninë nuk ka parashikuar dhënien e informacionit nga kjo e fundit. Islami gjithashtu ka bërë të ditur se ka mungesë transparence dhe shifra të pasakta në lidhje me ecurinë e procesit të pajisjes së qytetarëve me karta identiteti. Gjatë mbledhjes së djeshme të këtij komisioni kanë qenë të pranishëm kryetari Arben Ristani dhe nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, të cilët kanë raportuar në lidhje me punën e bërë deri tani nga ky komision.
Raportimi
Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, gjatë fjalës së saj në komision u shpreh se problematike mbeten listat e zgjedhësve. Sipas saj, pushteti vendor ka shkelur të gjitha afatet ligjore në depozitimin pranë KQZ-së të listës përfundimtare të zgjedhësve. Gjithashtu, Subashi u shpreh se rreth 50% e komisionerëve janë të patrajnuar.
“Për ne mbetet shqetësuese mungesa e të dhënave përsa u përket listave të korrigjuara të zgjedhësve. Organet e pushtetit vendor nuk kanë depozituar pranë KQZ-së këto lista dhe janë në limitet e afatit ligjor”, - është shprehur Subashi, ndërsa shtoi se rreth 50% e administratës zgjedhore për shkak se janë punësuar me urgjencë nuk janë trajnuar ende për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Ndërsa kryetari i KQZ-së, Ristani, bëri një ekspoze të punës së KQZ-së deri tani, ndërsa vlerësoi konsensusin e partive politike. “Nga momenti i konstituimit të KQZ-së më 5 shkurt, janë miratuar 38 vendime dhe 9 udhëzime, në funksion të problematikës së zgjedhjeve të ardhshme. Ngritja e komisioneve të nivelit të dytë, KZAZ-ve, përfundoi dje në të gjithë vendin, ndërsa sot pritet të përfundojë ngritja e tyre edhe në Tiranë. Konsensusi i partive ka ndihmuar KQZ-në në marrjen e vendimeve të pranuara nga të gjithë anëtarët”, - është shprehur Ristani.
Kërkesa
Deputetët e opozitës, duke qenë të paqartë për ecurinë e procesit të prodhimit dhe shpërndarjes së letërnjoftimeve, kërkuan që në Komisionin Ad-hock të raportojnë përfaqësues të kompanisë Sagem. Kjo kërkesë e tyre u pranua nga kryetari i Komisionit, Ilir Rusmali, pavarësisht se në kontratë nuk është përcaktuar detyrimi i dhënies së informacionit nga kjo kompani. “Kërkuam një komunikim direkt me "Aleat". Ndonëse na është thënë nga Ministria e Brendshme se, sipas marrëveshjes, ajo e ka të pamundur ta garantojë këtë gjë, Komisioni ishte i gatshëm të ftonte kompaninë në fjalë. Ne e argumentuam juridikisht se kjo është një kompani koncesionare që kryen një shërbim publik në Shqipëri dhe duhet të vijë në Parlamentin shqiptar për të dhënë informacion. Kërkesën tonë e mbështeti edhe kryetari i Komisionit, Ilir Rusmali, i cili shprehu gatishmërinë që të ftohej kjo kompani”, - u shpreh pas mbledhjes nënkryetari socialist i Komisionit, Kastriot Islami. Ai gjithashtu ka këmbëngulur në kërkesën e vazhdueshme të opozitës për dhënien e kartave falas. “Është keqkuptuar ideja jonë për kartat e identitetit falas. Kjo të kujton në mënyrë asimetrike taksën që ekzistonte para 50 vitesh në SHBA për votuesit, gjë që i pengonte ata të shkonin të votonin. Kjo taksë tashmë ka 50 vite që është hequr dhe ekziston në Shqipëri, kjo ndodh në një moment kur personalitetet e Shqipërisë do të shtrëngojnë dorën me Presidentin amerikan. Akoma më keq bie kjo, kur në kuadrin “Shqipëria 1 euro” vjen në Shqipëri dhe bën 50 milionë euro fitim zoti Fazlliç”, - tha deputeti i PS-së, Kastriot Islami. Edhe maxhoranca nga ana e saj ka rënë dakord për thirrjen e përfaqësuesve të kompanisë, por ndryshe nga opozita është shprehur e kënaqur për ecurinë e procesit të pajisjes me karta identiteti.

4 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›