Malaj: “Kapërcimi i krizës ekonomike duhet të jetë sfidë kombëtare”
Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Malaj, ka përshëndetur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, por ai ka theksuar se kjo ngjarje historike rrit detyrimet e politikës për të përballuar sfidat e ekonomisë së vendit. “Euforia e qeverisë për të injoruar situatën e vështirë të ekonomisë shqiptare mund t´i bëjë më të rënda pasojat e kësaj krize. Në kushtet kur kriza është thelluar në të gjitha vendet partnere tregtare të Shqipërisë, ajo do të rrezikojë akoma më shumë ekonominë e vendit tonë. Kreditimi i biznesit dhe konsumatorit është bërë ose i pamundur ose më i shtrenjtë, ristrukturimi i kredive të pakthyera ose në vështirësi duhet të shihet si një mundësi për të zbutur krizën ekonomike dhe sociale. Për Partinë Socialiste, përballimi me përgjegjësi i kësaj situate të rënduar ekonomike nuk është një ballafaqim thjesht elektoral, por një sfidë kombëtare, të cilën qeveria jo vetëm që nuk po e përballon dot, por, nën ethet elektorale dhe me keqpërdorimet buxhetore në rritje, po e bën më të rëndë për të gjithë shqiptarët”, - tha Malaj.
4 Prill 2009