E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet 09,LSI-ja, e vetme, Meta: Koalicion bishtash, ai i Ramës dhe Gjinushit

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, konfirmon se LSI-ja nuk do të bashkëpunojë me PS-në

Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, shprehet se nuk do të ketë një koalicion të përbërë me Partinë Socialiste apo me partitë e tjera të majta. Sipas Metës, ky koalicion do të ishte një dështim. “Në gjykimin tim dhe të LSI-së, nga ajo që kemi njohur deri tani, koalicionet e përbëra nuk janë gjë tjetër veçse koalicione të shpërbëra. Apo më thjesht, për ta kuptuar në një mënyrë më të thjeshtë, koalicionet e përbëra janë koalicione bishtash”, - u shpreh Meta.

Lëvizja Socialiste për Integrim do të jetë e vetme në zgjedhjet e vitit 2009. Këtë fakt e konfirmoi dje lideri i kësaj force politike, Ilir Meta, i cili u shpreh se koalicioni i përbërë me Partinë Socialiste, është një dështim dhe koalicion bishtash. Meta tha dje se është i gatshëm të ulet me Edi Ramën, por vetëm për reformën zgjedhore. “Unë për reformën zgjedhore jam i gatshëm të ulem me cilindo. Nuk kam asnjë lloj kufizimi dhe asnjë lloj paragjykimi, sepse reforma zgjedhore është detyrim që klasa politike shqiptare e ka ndaj të gjithë qytetarëve shqiptarë”, - tha Meta. Në lidhje me mundësinë e një bashkëpunimi mes LSI-së dhe PS-së në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Meta tha se kurrsesi nuk do të pranojë ofertën për të qenë pjesë e një koalicioni siç e kërkon PS-ja. “Në gjykimin tim dhe të LSI-ja, nga ajo që kemi njohur deri tani, koalicionet e përbëra nuk janë gjë tjetër veçse koalicione të shpërbëra. Apo më thjesht, për ta kuptuar në një mënyrë më të thjeshtë, koalicionet e përbëra janë koalicione bishtash. Pra, nuk janë koalicione të ndërtuara mbi principe dhe mbi vlera të përbashkëta, mbi qëllime të përbashkëta politike, ashtu sikurse ndërtohet çdo koalicion në çdo vend demokratik”, - tha Meta. Kreu i LSI-së i ka vënë një kusht kryesor Partisë Socialiste për bashkëpunim. Kushti është mosbashkëpunimi me mazhorancën. “Megjithatë, një frenim i lidershipit të Partisë Socialiste nga ajo që ka ndodhur deri tani midis tyre dhe Berishës, pra një mosthellim i tyre në cenimin e integritetit të votës së qytetarëve shqiptarë, do të ishte i mirëpritur nga ana jonë dhe ky është thelbi i përpjekjes sonë të fundit që po bëjmë në këtë drejtim. Në rast se ata nuk dëshirojnë të reflektojnë, natyrisht që ata do t’i marrin përgjegjësitë vetë përpara gjithë shqiptarëve, por edhe përpara atyre, të cilët i kanë përkrahur apo vazhdojnë t’i përkrahin”, - tha më tej Meta. Njëkohësisht Meta tha se takimi mes Pëllumb Xhufit dhe Valentina Leskajt ka pasur në qendër të bisedimeve vetëm çështjen e reformës zgjedhore. “Unë them se ajo ka të bëjë vetëm me diskutimin, për sa i takon Kodit të ardhshëm Zgjedhor, pra reformës elektorale, dhe është një përpjekje e sinqertë dhe ndoshta përpjekja e fundit, do të thosha, që bën Lëvizja Socialiste për Integrim, përpara opinionit publik, përpara elektoratit opozitar, për të ndihmuar lidershipin e Partisë Socialiste, që të mos thellohet në fajet e tij të deritanishme që cenojnë votën e qytetarëve shqiptarë dhe që mund të krijojnë avantazhe të padrejta dhe në kurriz të ndershmërisë së zgjedhjeve, Sali Berishës. Vetëm kaq, asgjë më shumë”, - tha Meta. Lideri i LSI-së i cilësoi i inaugurimet e Kryeministrit Berisha si një dështim. “Njëkohësisht, këto inaugurime që shprehin dështimin e qeverisë Berisha, në të gjitha drejtimet ekonomike dhe sociale, nuk mbulojnë dot krizën e thellë, të energjitikës, por edhe atë të ujit të pijshëm, që përjeton vendi, që përjeton Tirana, që përjeton Durrësi, por edhe shumë qytete të tjera, të cilat ofrojnë edhe shërbime për turizmin”, - tha Meta në fjalën e tij.

PS-ja kërkon heqjen e faturave afrorfe

Sekretari për programin në Partinë Socialiste, Ilir Beqaj, ka kërkuar dje nga ana e qeverisë heqjen e faturave afrove për qytetarët. Ai e cilësoi një dështim menaxhimin e KESH-it. “Pas 3 vjetësh qeverisjeje janë me dhjetëra mijëra familje që faturohen afrofe dhe është kërkuar të vazhdohet kështu deri në janar 2009, edhe pse qeveria pati premtuar që “do të instalohen matësat në të gjithë konsumatorët e për rrjedhojë do të marrë fund brenda vitit 2006 faturimi afrofe”. Në vitin 2007 arkëtimet ishin jo më të larta se 81%, ndërkohë që në vitin 2004 niveli i arkëtimeve ka qenë 88%. Viti 2007, sipas premtimit, duhet të ishte viti në të cilin shqiptarëve “do t’u garantohej furnizimi i pandërprerë i energjisë elektrike”. Edhe pse u shpenzuan për import po aq miliona euro (176 milionë) sa në 4 vitet e mandatit të mëparshëm qeverisës, 2007 shënoi vitin e një errësire masive. Në këtë vit deficiti i KESH-it arriti në 2.4% të Produktit të Brendshëm Bruto apo mbi 190 milionë euro”, - tha BEqaj.

Reforma zgjedhore, Gjinushi, llogari PS-së

Skënder Gjinushi ka kërkuar llogari nga ana e Partisë Socialiste në lidhje me reformën zgjedhore. Ai është takuar ditën e djeshme me kryetaren e grupit parlamentar të PS-së Valentina Leskaj ku i ka kërkuar detajet e kësaj reforme e cila do të miratohet në konsensus me mazhorancën. “Nuk është e vetmja zgjidhje pasi ka dhe mënyra të tjera korrektimi, ka mënyra të tjera sesa hapësira i jepet mënyrës së hyrjes në koalicion të përbashkëta, por gjithmonë koalicione që mbështeten në votën e çdo partie, pra partitë kanë votën më vete, por kanë lista të përbëra. Këto janë forma që e bëjnë sistemin më demokratik, i japin fytyrën proporcionale dhe lejojnë një bashkëpunim të ndershëm të bazuar në vota”, - tha Gjinushi. Nga ana tjetër, Leskaj u shpreh me e qetë dhe optimiste. “Kemi diskutuar me PSD-në, kemi ndarë shumë opsione të përbashkëta dhe nuk është e hera e parë që ne me ta bashkëpunojmë, pasi është në linjën e bashkëpunimit që ne kemi pasur në Parlament dhe jashtë tij. Për shumë pika të ndryshimeve në kodin elektoral kemi pasur optikë të përbashkët, sidomos për sa i përket koalicionit të përbërë”, - tha Leskaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›