E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet 2009, Patozi: Asnjë votë dëm e së djathtës



Nënkryetari demokrat, Astrit Patozi, bëri dje të ditur se asnjë votë e të djathtëve nuk do të shpërdorohet në zgjedhjet e ardhshme elektorale. Sipas tij, të gjitha format e bashkëpunimit mes së djathtës do të jenë në tavolinën e bisedimeve

Në tryezën e demokratëve janë të mirëpritura të gjitha opsionet e bashkëpunimit mes partive të djathta. Kjo, me qëllim mosshpërdorimin e asnjë vote të partive të djathta në zgjedhjet e 2009-ës. Në këtë rast nuk përjashtohet as mundësia e shkrirjes së disa partive që kanë rrjedhur nga PD-ja apo riorganizimi i koalicionit qeverisës përmes një federate të re. Nënkryetari demokrat, Astrit Patozi, bëri dje të ditur se asnjë votë e të djathtëve nuk do të shpërdorohet në zgjedhjet e ardhshme elektorale. Sipas tij, të gjitha format e bashkëpunimit mes së djathtës do të jenë në tavolinën e bisedimeve. Z.Patozi vëren se çdo lloj formule do të jetë në funksion të fitores së mazhorancës qeverisëse në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2009. "Partia Demokratike është një shtëpi e madhe që ka shumë hyrje dhe dalje dhe besoj se të gjitha lëvizjet në funksion të fitores janë të mirëpritura. Me këtë kam parasysh shkrirjen me disa parti apo krijimin e disa koalicioneve brenda së djathtës", - theksoi z.Astrit Patozi. Ai konfirmoi se në muajin shtator do të nisin bisedimet mes palëve. “Presim shtatorin për të caktuar se si do të shkojmë në zgjedhje dhe se cila do të jetë formula e mazhorancës. Jemi në kohë dhe nuk kemi ndonjë emergjencë”, - deklaroi nënkryetari demokrat. Kreu i grupit kuvendor të PD-së shpreh bindjen se partia e tij do të mundësojë një mandat të dytë qeverisës përmes zgjedhjeve të reja. Por z.Patozi akuzon opozitën e majtë se po bën pushime, të cilat do të mund t’i sigurojë edhe për 5 vite të tjera qëndrimi si pakicë parlamentare. "Besoj që do t'i krijojmë kushtet dhe lehtësitë opozitës që të pushojë të paktën edhe për 5 vitet e tjera e qetë", - tha Patozi. Përfaqësues të partive të djathta në deklaratat e tyre për mënyrën e bashkëpunimit në zgjedhjet e ardhshme janë shprehur të gatshëm të shkrihen me Partinë Demokratike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›