Ekspertët e PS-PD, negociata në Bruksel
Aristir Lumezi
Dy partitë e mëdha PS e PD po punojnë në “top secret” për arritjen e zgjidhjes së krizës politike. Dy ekspertët e tyre, socialisti Damian Gjiknuri dhe demokrati Oerd Bylykbashi ndodhen që prej dy ditësh në Bruksel, ku po punojnë me ekspertët e Komisionit Evropian. Mësohet që afati i lënë nga Strasburgu të shkojë dhe tri javë nga darka e “Crocodile”, për të arritur një marrëveshje mes palëve. Dy juristët e njohur, Gjiknuri, deputet i PS dhe, Bylykbashi, shefi i kabinetit të Kryeministrit Berisha, bashkëhartues të Kodit Zgjedhor, janë zgjedhur nga Brukseli si profesionistët që mund të ofrojnë një formulë të pranueshme për të dy palët. Madje në takimet e djeshme të Kryeministrit Berisha, ra në sy mungesa e Bylykbashit, i cili është gjithmonë prezent në krah të Berishës. Pasi kanë marr “bekimin” e lidershipit të tyre, dy negociatorët janë duke punuar për të afruar palët në një draft të pranueshëm, që do të kënaqë pozicionet e të dy kampeve politike. Si bashkëhartues të Kodit Zgjedhor, pritet të ketë përmirësime juridike, që do çojnë drejt një formule të pranueshme nga palët. Të dështuar në negociatat në Tiranë, edhe me ndërmjetësimin e Presidentit të Republikës, PD e PS po detyrohet të shkojë në një zgjidhje pas monitorimit të rreptë të Brukselit, i cili duhet të miratojë pak ditë më vonë edhe liberalizimin e vizave të Shqipërisë me zonën Shengen. Dy ekspertët janë duke vazhduar në Bruksel ato negociata që lanë përgjysmë në Tiranë, mbrëmjen e 27 majit, kur ata bashkë me ekspertët e tjerë, Vasilika Hysi nga PS dhe Ivi Kaso nga PD, biseduan deri në orët e para të mëngjesit pa dhënë një përgjigje konkrete për zgjidhjen. Negociatat në selinë e KE-së në Tiranë, në praninë e ambasadorit Lohan, u zhvilluan pas mbledhjes së opinioneve të ekspertëve të Brukselit nga kreu i maxhorancës, Berisha dhe ai i opozitës, Rama. Negociatat që po zhvillohen në Bruksel janë mjaft hermetike në informacion, për vetë natyrën delikate që ato kanë për të arritur në një zgjidhje përfundimtare. Ndërkohë që në Bruksel po punohet për terma konkretë juridikë, politika e Tiranës vazhdon të deklarojë ngërçin prezent, duke mos dhënë asnjë shenjë zgjidhje të krizës. Deklaratat e ditëve të fundit tregojnë pozicionimin e palëve në llogoret e vjetra, duke dhënë idenë se ato nuk bëjnë asnjë lëshim nga qëndrimet e tyre. Socialistët vazhdojnë të kërkojnë transparencë të zgjedhjeve, mbështetur në Kushtetutë, duke iu referuar të drejtës kushtetuese për informim, ndërsa demokratët këmbëngulin në zbatimin e nenit 178 të Kodit Zgjedhor, i cili përcakton asgjësimin e fletëve të votimit dhe dërgimin e materialeve zgjedhore në arkivën e shtetit. Si dhe herët e tjera të marrëveshjeve mes tyre, pas fshehtësisë së negociatave dhe mungesës së informacionit për to, PD dhe PS do të deklarojnë arritjen e një formule që do të çojë në bërjen e transparencës së zgjedhjeve, që do të çojë në këtë mënyrë në zgjidhjen e krizës dhe normalizimin e situatës politike në vend. Ende nuk dihet nëse marrëveshja që do të shënojë fundin e krizës politike do të konkretizohet me një takim tjetër të dy liderëve në Strasburg apo në Bruksel, por ajo që njihet është se zgjidhja erdhi sërish nga jashtë.
Delegacioni
Delegacioni i ekspertëve, i kryesuar nga zëvendësshefja e kabinetit të Komisionerit për Zgjerimin e BE-së, Stefan Fyle, Jana Katarina, Loliç Shindelkova, që është njëherazi edhe përfaqësuesja e Komisionerit për Zgjerim, që mbulon edhe çështjet e Ballkanit Perëndimor, dhe Terkel Petersen, i cili mbulon Shqipërinë në Sekretariatin e Këshillit të BE-së, zhvilloi një vizitë 24-orëshe në Tiranë, më 27 maj. Gjatë kësaj vizite, ekspertët takuan kreun e opozitës Edi Rama, Kryeministrin Berisha si dhe ekspert e dy partive në përpjekje për të ofruar një draft konkret për zgjidhjen e krizës politike në vend.
Qëndrimi e partive
PD në qëndrimin e saj për çështjen e transparencës së zgjedhjeve i përmbahet neneve të Kodit Zgjedhor, të miratuar me konsensusin e dy partive të mëdha. Sipas demokratëve, neni 178 i Kodit Zgjedhor përcakton qartë fatin e fletëve të votimit, të cilat sipas pikës 6 të këtij neni digjen pas përfundimit të procesit të animimit dhe shpalljes së rezultatit. Ndërsa socialistët kërkojnë transparencë të plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit. Për këtë qëllim, ata i referohen nenit kushtetues që lejon marrjen e informacionit për dokumentet zyrtare, duke përfshirë këtu dhe fletët e votimit. Socialistët këmbëngulin në verifikimin parlamentar të zgjedhjeve.