E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha pas Uithers: Askush s‘e ka monopolin e së vërtetës

"Askush nuk e ka monopolin e së vërtetës". Me këtë fjali u është përgjigjur dje Kryeministri Berisha kritikave të ashpra të ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe diplomatëve të tjerë të rëndësishëm në Tiranë. Berisha është përgjigjur buzagaz, ashtu siç bën sa herë kritikohet rëndë, kur gazetarët e pyetën në lidhje me deklaratat e diplomatëve të rëndësishëm në Tiranë, akuzave të opozitës dhe të ndonjë aleati të tij në koalicionin qeverisës. "Ne tashmë kemi dalë nga bota e hekurosur në botën e diversitetit. Dhe kjo është merita e demokracisë. Sigurisht që kritikat bazohen në diversitetet, monopolin e së vërtetës nuk e ka asnjeri, as unë, as askush tjetër". Kështu tha Kryeministri, duke lënë të kuptohet se kritikat që bëhen nuk do ta ndryshojnë qëndrimin e tij.

Kryeministri e bëri këtë deklaratë nga qyteti i Vlorës, ku ndodhej dje në një vizitë pune. Ai zgjodhi të fliste për politikën e ditës, në një takim me punëtorët që po ndërtojnë termocentralin, në zonën e Pyllit të Sodës në periferi të qytetit. Pa u ngacmuar me pyetje, Kryeministri i cilësoi punëtorët përfaqësues të njerëzve që ndryshojnë Shqipërinë dhe jo pjesëtarë të mitingjeve që manipulojnë të vdekurit për qëllime politike. "Ata nuk bëjnë mitingje për të manipuluar të vdekurit, por ndërtojnë hidrocentrale. Ky është dallimi. Këta janë vektorë të ndryshimit të Vlorës dhe të Shqipërisë", tha Berisha, i cili më tej i bëri thirrje opozitës që të ndryshojë kursin e politikës së saj të deritanishme. "Siç e shihni, kjo qeveri është e angazhuar në ndërtime universitetesh, autostradash, termocentralesh, parqe industriale dhe vepra të mëdha në të gjithë vendin. Përballë kësaj është opozita e mitingjeve për të ekzekutuar të vdekurit. Është makabritet i vërtetë. Uroj që ky kurs të ndryshojë vërtet, sepse është në interesin më të mirë të vendit", deklaroi Berisha.

Në këtë takim me punëtorët, Kryeministri dha sqarime edhe në lidhje me vonesat në ndërtimin e rrugës Transballkanike në qytetin e Vlorës. Sipas Berishës, faji për vonesat është i Bashkisë së Vlorës dhe nuk ngurroi ta kërcënonte këtë institucion, duke thënë se "në rast se do të vazhdohet me këtë qëndrim do të detyrohemi të përdorim prerogativa të tjera".

Pjesa tjetër e vizitës së Berishës në Vlorë kaloi në atmosferën e zakonshme që kanë aktivitete të tilla. Fjalime për arritjet e qeverisë, ku theksi iu vu arsimit, pasi dy prej ndalesave të Kryeministrit ishin Universiteti "Ismail Qemali" i Vlorës dhe shkolla nëntëvjeçare e Novoselës. Në Universitetin e Vlorës, Berisha përkrahu fuqimisht drejtuesit e këtij institucioni, të cilët në verën e këtij viti u vunë në qendër të kritikave të medias, për shkak të tentativës së tyre për të zhdukur emrin e Ismail Qemalit nga universiteti.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›