E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga policit të Qafë-Thanës dhe tre trafikantëve maqedonas

Tre trafikantë të makinave luksoze, prodhime të viteve të fundit, si dhe një punonjës i policisë kufitare, janë arrestuar gjatë një operacioni nga ana e Drejtorisë Rajonale të Policisë dhe strukturat e SHKB-së. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Policisë së Korçës, kapja dhe arrestimi i shtetasve të huaj dhe njeriut me uniformë, i cili ka shpërdoruar detyrën, duke lejuar trafikimin e mjeteve motorike nga shteti i Maqedonisë drejt vendit tonë, është kryer gjatë orëve të natës, në pikën e kalimit kufitar të Qafë-Thanës. Policia ka sqaruar se në bazë të hetimeve mbi trafikun e mjeteve motorike, ka rezultuar se kjo vepër penale është kryer në mënyrë të përsëritur, derisa autorët janë kapur dhe vënë në pranga, edhe pse kanë bërë një kallëzim të rremë para policisë vendase. Burimet policore shpjeguan se kanë kapur dhe arrestuar tre shtetas të huaj, dy pre të cilëve maqedonas, me kombësi shqiptare dhe tjetri shtetas kroat. Në pranga ka rënë edhe një nga punonjësit e policisë kufitare të Qaf-Thanës, Bashkim Liçkollari. Afrim Halili, 39 vjeç, me banim në Çeki, shqiptaro-maqedonas, me shtetësi kroate si dhe vëllai i tij, 37-vjeçari Bekim Halili, sillnin makina luksoze në bashkëpunim me shtetasin maqedonas, Danilo Radiceski, 40 vjeç, edhe ky i fundit i arrestuar nga ana e policisë së Korçës. Makinat kalonin nëpërmjet pikës së kalimit kufitar me shtetin maqedonas drejt vendit tonë dhe më pas liheshin në territorin shqiptar. Në kthim, të tre shtetasit, që kishin kaluar nga pika kufitare me mjetet përkatëse, iknin si këmbësorë. Sipas të dhënave nga hetimet që ka kryer policia, rrjeti funksiononte prej kohësh, por autorët janë kapur këtë herë për trafikimin e tre makinave luksoze, prodhime të vitit 2008.

Denoncimi

Policia rajonale ka deklaruar se arrestimi i tyre dhe i punonjësit të policisë kufitare është realizuar, pasi tre trafikantët janë kthyer në drejtim të shtetit maqedonas dhe janë kapur në kufi. Në një komunikatë për shtyp të Drejtorisë së Policisë së Korçës dhe sipas të dhënave të SHKB-së, bëhet e ditur se arrestimi i autorëve u bë, pasi, dy ditë më parë, këta tre shtetas kanë bërë kallëzim të rremë para oficerit të policisë gjyqësore, duke deklaruar se, pasi kanë hyrë në territorin shqiptar, janë grabitur. Sipas deklarimeve të para që kanë dhënë të tre të arrestuarit, pretendohet se kanë rënë në kontakt të rastësishëm me një person të paidentifikuar prej tyre dhe janë kërcënuar nën presionin e armës së zjarrit, ndërsa persona të maskuar iu kanë marrë të tre makinat, me të cilat ata kishin hyrë në territorin shqiptar nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar të Qafë-Thanës. Pas marrjes në pyetje të tre personave, të cilët kanë ngritur pretendimet për vjedhje për kthimin e tyre pa mjetet përkatëse, me të cilat kishin ardhur në vendin tonë, policia ka nisur hetimet "për grabitje me armë". Drejtori i Policisë së Korçës, Emri Vata, ka bërë të ditur se, megjithëse shtetasit e huaj kanë bërë kallëzim të rremë, nga ana e efektivave të policisë për këtë çështje filluan hetimet në lidhje me këtë ngjarje. Siç deklaron Vata, pas hetimeve të kryera rezultoi se "nuk kishim të bënim me vjedhje nën kërcënimin e armës, por shtetasit e mësipërm kishin marrë përsipër që të sillnin në Shqipëri tre mjetet motorike dhe t‘i linin te një shtetas shqiptar dhe pas kthimit në Çeki do të merrnin si dëmshpërblim një shumë prej 33 mijë euro. "Nga verifikimi dhe hetimi i kryer rezultoi se tre mjetet i ishin lënë Ardian Toskës, nga fshati Piskupat, i Pogradecit, i cili për t‘iu shmangur prangave është larguar dhe po kërkohet nga policia", ka thënë drejtori i Policisë së Korçës.

SHKB-ja

Krahas tre autorëve, policia dhe strukturat e SHKB-së kanë arrestuar edhe punonjësin e policisë kufitare, Bashkim Liçkollari, që ka qenë në detyrë, në kohën kur të tre këta shtetas kanë hyrë nga pika kufitare e Qafë-Thanës. Sipas policisë, kontrollori Liçkollari, tri ditë më parë, në kohën që të tre shtetasit e huaj kanë hyrë nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Qafë-Thanë, ka qenë me shërbim në detyrën e kontrollorit dhe në kundërshtim me detyrën e tij funksionale, ka lejuar hyrjen e këtyre shtetasve të huaj në territorin tonë, pa kryer procedurat përkatëse për regjistrimin e tyre në sistemin TIMS. Ndërkohë, të katër personat janë vënë në pranga dhe policia ka nisur hetimet për veprimtaritë e të huajve në vendin tonë në lidhje me trafikun e makinave. Ndaj shtetasve të huaj rëndon akuza e trafikimit të mjeteve motorike, ndërkohë që Liçkollari është vënë në pranga për shpërdorim detyre. Burimet policore nga SHKB-ja thanë se shpeshherë janë hasur me raste të implikimit të punonjësve të policisë në ngjarje kriminale, por jo që ishin përfshirë edhe në trafik makinash. Një tjetër punonjës policie u arrestua dy ditë më parë, për vjedhjen e një makine, që kishte për detyrë për ta ruajtur.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›