E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku i klandestinëve, dosja "Zogu i Zi" në gjykatë

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka mbyllur hetimet ndaj 11 të pandehurve të akuzuar për "dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit" në formën e grupit të strukturuar kriminal. Të pandehurit e kësaj dosjeje janë: Pjetër Tusha, Paulin Markaj, Ndrek Preçi, Altin Gjeloshaj, Ardian Marku, Lek Frroku, Dilaver Hajdini, Aleksandër Malaj, Rexhep Cuku, Gëzim Tafaj dhe Ardian Corri. Prokuroria e Krimeve të Rënda, më datën 7 gusht të vitit të kaluar, ka regjistruar procedimin penal, bazuar në materialet e sjella nga Karabinieria e Rajonit Friuli-Veniezia-Gurilia, Itali, në të cilën u kërkohej ndihmë autoriteteve shqiptare për zbulimin e një veprimtarie kriminale në vendin tonë. Një ditë më pas, me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda, është vënë në përgjim i pandehuri Ardian Corri. Në kërkesën për gjykim, dërguar Gjykatës së Krimeve të Rënda, bëhet me dije se nga përgjimet telefonike të të pandehurit Ardian Corri ka rezultuar se ai, në bashkëpunim me të pandehurin Gëzim Tafaj dhe me shtetas të tjerë të huaj, organizonin dhe realizonin dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror, me qëllim fitimi. Sipas prokurorisë, kalimi realizohej nga vendi ynë për në Itali. "Nga bisedimet telefonike të kryera mes dy të pandehurve, rezulton se ata kanë biseduar dhe realizuar transportimin e shtetasve të ndryshëm shqiptarë, nëpërmjet kufijve shtetërorë të Malit të Zi drejt Kroacisë dhe më pas në Slloveni me destinacion Italinë", sqaron prokuroria. Gjithashtu bëhet me dije se këta dy të pandehur, gjatë kohës që kanë qenë në përgjim, kanë nisur dy ose tri herë disa shtetas për të kaluar për në Mal të Zi me destinacion përfundimtar Italinë. Mësohet se personat grumbulloheshin nga të pandehurit Tafaj dhe Corri në vendin e quajtur "Zogu i Zi" në kryeqytet. Më pas ata transportoheshin nga Rexhep Cuku për në fshatin Bajzë të Malësisë së Madhe dhe prej andej kalonin kufirin me mjete nga më të ndryshmet. Transportimi i klandestinëve për në Mal të Zi kryhej nga Aleksandër Malaj. Më pas ata priteshin në Slloveni nga Azem Munishi, i cili i transportonte deri në Udine të Italisë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›