E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsioni në gjykatë, zgjerohet rrethi i të dyshuarve

Shkarkimi ditë më parë i gjyqtarit të Kavajës, Vesel Bako, nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, për marrje ryshfeti në një proces gjyqësor zhvilluar muaj më parë në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Mat, duket se nuk do të kalojë pa pasoja edhe për prokurorin e kësaj çështje dhe avokaten që denoncoi mitëmarrjen e gjyqtarit. Nga burime të afërta me avokaten denoncuese, Zana Hoti (Pasha), mësohet se KLD-ja ka kërkuar që përveç gjyqtarit Vesel Bako, të vihet nën akuzë edhe avokatja, pasi ka denoncuar me gjashtë muaj vonesë rastin, edhe pse ka pasur kasetat ku gjyqtari është filmuar duke marrë para për mbylljen e një procesi gjyqësor. Ka qenë pikërisht kjo vonesë prej gjashtë muajsh në denoncimin e marrjes së ryshfetit nga gjyqtari Vesel Bako, që ka çuar në dyshime KLD-në, se në këtë mitëmarrje ka dorë edhe vetë avokatja denoncuese Zana Hoti. Por nuk përjashtohet mundësia që të jetë i përfshirë edhe ish-prokurori i kësaj çështjeje, në Gjykatën e Matit, Arben Dyla. Dhe po sipas këtyre burimeve të rezervuara, mësohet se ka qenë një çështje gjyqësore, e trajtuar nga treshja Bako, Dyla dhe Hoti, avokate mbrojtëse, ku janë vënë në pazar për mbylljen e saj plot 30 mijë euro. Pritet që ditët në vazhdim, KLD-ja të vërë nën akuzë edhe avokaten dhe prokurorin e çështjes gjyqësore që çoi në shkarkimin e gjyqtarit të Kavajës, Vesel Bako. Gjithashtu, burime të rezervuara nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mat, bëjnë me dije se do të jetë kjo çështje gjyqësore e denoncuar tashmë që mund dhe duhet të çojë në rritjen e numrit të gjyqtarëve e prokurorëve të akuzuar për marrje ryshfeti, në trajtimin e çështjeve gjyqësore.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›