E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga në Londër ish-oficerit të SHIK

Ka marrë fund pas 11 vitesh arratia e Ilir Kumbaros, ish efektiv i SHIK-ut të Tiranës, i cili kërkohet nga drejtësia shqiptare si pjesëmarrës në rrëmbimin dhe mw pas zhdukjen, e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha. Një zëdhënës i Scotland Yard ka konfirmuar dje arrestimin e tij. "Skuadra e ekstradimeve pranë Scotlad Yard, ka ekzekutuar një mandat ndërkombëtar arresti, lëshuar nga autoritetet shqiptare, duke arrestuar zotin Kumbaro", ka pohuar zëdhënësi.

Arresti me firmën e Xhevat Hanës

Mësohet se Ilir Kumbaro ka qenë për tre javë nën survejimin e oficerëve të policisë britanike, pasi ishte lokalizuar vendndodhja. Fillimisht, ai është fotografuar, duke dalë nga shtëpia. Fotot janë dërguar më pas në Shqipëri për të bërë krahasimin me fotot e disponuara nga policia shqiptare. I gjithë operacioni i arrestimit është mbajtur në sekret të plotë. I vetmi person që ka pasur dijeni për zhvillimet në Londër rreth kësaj çështje ka qenë prokurori i çështjes, Xhevat Hana. E ndërsa në Angli po finalizohej arrestimi i të shumëkërkuarit Kumbaro, prokurori Hana në Tiranë ka përgatitur një fletë-arresti ndërkombëtar, të firmosur nga vetë ai, për t‘u ekzekutuar nga oficerët ne Scotland Yard. Nëpërmjet kanaleve diplomatike, kërkesa e prokurorit Hana ka mbërritur në zyrën e agjencisë "Special Organised Crime Agency". Meqë kërkesa për të arrestuar këtë person ishte tejet e detajuar dhe aq më tepër, që bëhet fjalë për një ish-agjent të shërbimit sekret shqiptar, prokuroria angleze ka zhvilluar më 6 Tetor 2008 një seancë gjyqësore, ku i është kërkuar gjykatës leja për të ekzekutuar këtë mandat ndërkombëtar arresti.

Marrja e vendimit nga gjykata britanike

Pasi është dhënë drita jeshile nga gjykata, oficerët e Scotlad Yard kanë arrestuar Ilir Kumbaron. Megjithëse autoritete britanike, për momentin kanë qenë të rezervuara në dhënien e informacionit për këtë arrestim, mësohet se kërkimet për Iir Kumbaron u intensifikuan kohët e fundit pas vizitës së kryeprokurorit britanik Ken McDonalds në Shqipëri. Gjatë takimeve me autoritetet e prokurorisë shqiptare, çështja "Kumbaro" ka qenë një nga pikat e bisedimeve me prokurorëve shqiptarë dhe zotit McDonald. Frytet e këtyre bisedimeve janë parë dje, kur Scotlad Yar konfirmoi arrestimin e Ilir Kumbaros, njeriut i cili mund të hedhë dritë mbi misterin e zhdukjes së Remzi Roxhës. Scotland Yard do të bëjë publike gjatë ditëve në vazhdim detajet e ndalimit të Kumbaros. Ndaj tij kanë filluar procedurat e ekstradimit në gjykatën "City of Westminster Magistrate Court".

Interpoli zbuloi identitetin e rremë

Arrestimi i Ilir Kumbaros është realizuar pas një pune disavjeçare gjurmuese të zyrës së "Interpol Tiranës". Oficerët e kësaj zyre, fillimisht kanë mundur të identifikojë emrin e rreme që ish SHIK-asi, Ilir Kumbaro ka përdorur kur është regjistruar si azilant në Londër. Lokalizimi vendndodhjes së tij në Angli ishte problemi më madhor që oficerët e kësaj zyre janë ndeshur. "Bashkëpunimi me palën angleze në këtë çështje ka qenë i niveleve më të larta", pohojnë burime nga policia shqiptare. Ilir Kumbabo, gjatë këtyre viteve fshehjeje në Angli, ka mbajtur një profil të ulët. Burime nga komuniteti shqiptar pohojnë se ai për një kohë të gjatë ka jetuar në veri të kryeqytetit britanik në lagjen Harringey. Me rihapjen e procesit gjyqësor në Gjykatën e Lartë në Tiranë për rrëmbimin e Remzi Hoxhë, Ilir Kumbaro është larguar nga Londra për të jetuar në një qytet tjetër në Angli. Pavarsisht nga kjo lëvizje për të vazhduar fshehjen, ai nuk ka mundur t‘i shpëtojë prangave angleze për llogari të Interpol-Tiranës. Prangosja në Londër e Kumbaros, njeriut kyç në zhdukjen e Remzi Hoxhës, është suksesi radhës për Zyrën e Interpol-Tiranës, duke e çuar në 16 numrin e shqiptarëve "wanted" të prangosur në Britani.

Rrëmbimi

Zhdukja e biznesmenit dhe dhimbja e familjes së tij

Shqipëria është e pasur me histori varresh pa emër. Një prej të cilëve ka 10 vjet që po mundon familjen e Remzi Hoxhës në Shkup të Maqedonisë. Që atëherë, kur më 21 tetor të vitit 1995, disa persona me 3 makina e rrëmbyen 42-vjeçarin, ndërsa ishte duke punuar në ambientet e punishtes së tij të duralumineve në periferi të Tiranës. E që nga ajo kohë, askush nuk ka pranuar se ka dijeni për ngjarjen. Askush nga ata që janë marrë me këtë çështje nuk është penduar. Madje, as ish-krerët e SHIK-ut të asaj periudhe dhe vartësit e tyre, të arrestuar më 21 maj 2003, nën akuzën zyrtare të "rrëmbimit, mbajtjes peng dhe torturave në bashkëpunim", e të liruar më pas për mungesë provash. As pas rifillimit të gjyqit nuk është dhënë ndonjë fakt për zhdukjen e tij. Gruaja, 5 fëmijët dhe 5 vëllezërit e Remziut, pas kaq e kaq vitesh kanë nisur të mësohen me fatin e tyre të zi. Prokuroria është shprehur tashmë zyrtarisht "për pasojat e rënda" ndaj tij. Ndaj vendin e ankthit të pafund, ka nisur ta zërë fundi me ankth. Një fund që duket se do t‘i ngushëllojë ata, të paktën duke gjetur trupin e pajetë të familjarit të tyre. Gjurmët e të cilit, sipas hetimeve të SHISH-it, policisë dhe prokurorisë, të çojnë në një varr ndanë një vendi pa emër, diku në bregdetin e Lezhës. Atje ku mendohet dhe dyshohet se bashkë me trupin e pajetë të ish-kryetarit të Sindikatave të Pavarura të Zejtarëve të Kosovës, prej 10 vjetësh, fshihet një prej krimeve më të rënda shtetërore të postkomunizmit shqiptar.

Gjyqi

"Berisha na tha ta kërkojmë Remziun te SHIK-u"

Dëshmia e familjes së Remzi Hoxhës në gjykatë

Vetëm pak kohë më parë, Sevdie Hoxha ka dëshmuar për herë të parë në gjykatë kalvarin e dhimbshëm të kërkimit të bashkëshortit të saj. E lodhur dhe e stërmunduar nga halli i madh i jetës së saj, Sevdie Hoxha ka dëshmuar në procesin ndaj të akuzuarve si rrëmbyes dhe vrasës të burrit të saj Remzi Hoxha. "Sali Berisha na tha që ta kërkonim Remziun te SHIK-u", ka thënë Sevdia, ndërsa tregonte kalvarin e gjatë të përpjekjeve për të gjetur bashkëshortin e saj. "Ditën që është rrëmbyer Remziu kisha dalë me motrën dhe po shëtisnim në Tiranë. Shkuam te një shok i Remziut dhe po prisnim që të vinte të na merrte me veturë, por nuk erdhi. Kur u ktheva në shtëpi erdhi një kontabilist dhe më tha që Remziu kishte ikur në Shkodër për një projekt. Prita një ditë, dy dhe s‘po kthehej. Pastaj kam pritur me muaj, vite dhe nuk u kthye më", vijoi rrëfimin e saj zonja Hoxha. Bashkëshortja e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, për rrëmbimin dhe torturimin e të cilit janë duke u gjykuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda tre persona, ka qenë dëshmitarja e parë e këtij procesi. Ajo ka dhënë detaje për ditën e rrëmbimit të Remziut, por edhe kërkimet e gjata që kishte bërë familja e tyre. Edhe djali i madh i Remzi Hoxhës, dëshmitari i dytë në procesin ndaj Arben Sefgjinit, Avni Koldashit dhe Ilir Kumbaros, ka vazhduar të tregojë për takimet që kishin bërë për gjetjen e trupit të babait. Ai tha se nëpërmjet lidhjeve dhe miqësive kishin arritur të shkonin deri te Bashkim Gazidede. Por ai, sapo i kishin thënë përse kishin shkuar ta takonin, ua kishte kthyer me fjalët: "Mos u merrni më me këtë punë. Ikni që këtu tani". Ardian Hoxha tha se ata kishin marrë shumë informacione nga njerëz të ndryshëm, por nuk kishin arritur dot ta gjenin trupin e babait të tij, për të cilin tashmë nuk kanë më asnjë shpresë se mund të jetë gjallë.

Dëshmia

Kristopulli: Tortura për të firmosur dokumentet

Edhe Ziso Kristopulli, i rrëmbyer së bashku me biznesmenin shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha 13 vjet më parë, ka dëshmuar në gjykatë. Kristopulli e ka rindërtuar të gjithë skemën e ngjarjes së ndodhur më 21 tetor të 1995-ës. Ai dëshmoi para gjykatësve, duke thënë se e kishin detyruar me dhunë të firmoste se kishte qenë pjesë e planeve për vrasjen e ministrit të Brendshëm dhe sabotimit të Kushtetutës. "Jam goditur dhe rrahur vend e pa vend. Në shputat e këmbëve, në bark dhe më pas te gjunjët", ka deklaruar Kristopulli, një prej të mbijetuarve të rrëmbyer nga SHIK-u në vitin 1995. Ai deklaroi për mbi dy orë e gjysmë të gjitha rrethanat e rrëmbimit të tij, mbajtjes peng në Vain të Lezhës dhe torturimin që iu bë përgjatë pesë ditëve nga agjentë të SHIK-ut. Dëshmitari ka akuzuar direkt për dhunën e paprecedentë dy të pandehurit, Budion Meçen dhe Ilir Kumbaron, që sipas tij e kishin keqtrajtuar në mënyrë çnjerëzore. Kristopulli u tha gjyqtarëve se Avdyl Loshajn e njihte, për shkak se ai kishte bërë pushime në lokalin e tij, kurse për Remzi Hoxhën kishte dëgjuar në dhomat ku ai torturohej, si dhe të bërtiturat e tij. Dëshmitari shtoi se agjentët e SHIK-ut e kishin detyruar me dhunë të firmoste dokumente në bazë të të cilave akuzohej për trafik armësh me Serbinë, falsifikim të Kushtetutës dhe tentativë vrasjeje të ish-ministrit të Brendshëm, Agron Musaraj. Kristopulli u tha gjyqtarëve se gjatë marrjes në pyetje nga SHIK-u, ngaqë nuk i duronte dot më tej torturat, ka firmosur që e njihte edhe Remzi Hoxhën, me të cilin ishte bashkëpunëtor.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›