E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri mjek takon kolegun e plagosur

Kryeministri me profesion mjek, shkoi dje për një vizitë edhe në banesën e neurologut Kosta Koçi, i cili disa javë më parë u plagos rëndë me thikë, në rrethana ende të pasqaruara. Berisha shprehu kënaqësinë e tij që mjeku Koçi e kaloi rrezikun për jetën dhe po shkon drejt shërimit, duke falënderuar mjekët e qytetit të Vlorës, të cilët kishin bërë një punë të shkëlqyer për të shpëtuar jetën e tij, pas aktit kriminal të dhunës së ushtruar ndaj tij. Gjithashtu, Berisha e siguroi neurologun Kosta Koçi se organet përkatëse do të bëjnë ç‘është e mundur për të çuar përpara drejtësisë autorin e këtij krimi. "Kosta Koçi është një nga mjekët më të shquar të vendit tonë, është një njeri i shkëlqyer, një specialist shumë i mirë, një mjek dhe një studiues model për përkushtimin dhe për ndershmërinë e tij. Ne kemi punuar së bashku dhe kemi bashkëpunuar veçanërisht në studime shkencore dhe në fushën e eksperimenteve shkencore në mjekësi. Kosta është një nga njerëzit dhe miqtë më të përkushtuar që unë kam njohur, është një njeri që ka mbi gjithçka një integritet të shkallës më të lartë. Mendoj se ka qenë vërtet një fat shumë i madh që kjo situatë e rëndë u kapërcye", tha Berisha.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›