E Shtunë, 31 Tetor 2026

I plagosin vëllain, kërcënon me granatë klientët e lokalit

Një person ka kërcënuar se do të hidhte në erë një lokal, pasi i kishin rrahur dhe plagosur vëllain. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen Laprakë të Tiranës, ndërkohë që policia ka mundur të neutralizojë kërcënuesin. Bilbil Kortoçi e ka kryer këtë akt kriminal, pasi një grup personash kishin plagosur me mjete të mprehta në kurriz vëllain e tij. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës bënë të ditur se dy net më parë, në orën 20.30, u bë arrestimi i Bilbil Lan Kortoçit, 29 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Institutin Bujqësor Kamzë. "Arrestimi i tij u bë, pasi në orën 02.00, në ambientet e jashtme të një lokali në Laprakë, pas një konflikti me disa persona, ai është kapur me një granatë dore dhe një thikë", deklaroi zyrtarisht Drejtoria e Policisë së Tiranës. Sipas të dhënave, nga ky konflikt ka mbetur i plagosur me sende të forta vëllai i tij, Fatos Kortoçi, 26 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në lagjen e mësipërme. Menjëherë pas plagosjes, i dëmtuari, i cili ka marrë plagë në pjesën e pasme të trupit, është dërguar në Spitalin Ushtarak dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Burimet policore kryeqytetase shpjeguan gjithashtu se ka qenë një konflikt i momentit që ka krijuar gjithë këtë situatë. Grupi hetimor bëri të ditur se fillimisht Fatos Kortoçi është grindur dhe rrahur gjatë një konflikti të momentit me Lin Lekën. Ky i fundit, i cili shoqërohej edhe nga disa shokë, ka marrë një mjet të mprehtë dhe pasi e ka goditur kundërshtarin pas koke, e ka qëlluar edhe në kurriz. Ndërkohë, vëllai i të dëmtuarit, pasi ka parë gjithë këtë skenë në ambientet e jashtme të lokalit, ku ka ndodhur sherri, ka nxjerrë një granatë, duke u pozicionuar për ta hedhur. Ai ka kërcënuar se do të hidhte në erë të gjithë lokalin nëse nuk nxirrnin jashtë Lekën, i cili fshihej. Por, për të parandaluar një vrasje të mundshme, apo ndonjë tragjedi më të madhe, të pranishmit kanë njoftuar policinë dhe menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur uniformat blu të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Burimet policore thanë se me të mbërritur në vendin e ngjarjes, kanë neutralizuar të armatosurin me granatë dhe i kanë dhënë ndihmën e parë vëllait të tij të plagosur. I plagosuri është dërguar në spital, ku, sipas mjekëve, ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Nga ana tjetër, policia ka arrestuar Bilbil Kortoçin, të cilit i kanë sekuestruar një granatë dhe një thikë. Por, autori i plagosjes së Fatos Kortoçit është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Sipas informacioneve nga grupi hetimor, sapo policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes, ai ka mundur të zhduket. Burimet nga uniformat blu thanë se ka nisur kërkimi për Lin Lekën. Sipas të dhënave hetimore, ai dyshohet për plagosje të rëndë me dashje. Madje, Bilbil Kortoçi ka deklaruar para oficerit të policisë gjyqësore se nuk kishte ndërmend të rrezikonte jetën e ndonjërit në lokal, por donte të sqarohej me autorin e plagosjes së vëllait. Në mungesë të kontaktit me të, ai kishte kërcënuar se do të hidhte granatën, por ndërhyrja e policisë ka qenë e efektshme, duke e neutralizuar përfundimisht. Tashmë, ai akuzohet për mbajtje të armëve luftarake dhe për kanosje, ndërkohë që vazhdon kërkimi për kapjen e Lekës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›