"Berisha, peng i lobeve antishqiptare"
Gati për çdo aksion opozitar që synon largimin e Kryeministrit Sali Berisha. Me këtë ide u shfaq dje në publik kreu i socialdemokratëve, Skënder Gjinushi. Ai shprehu protestën dhe indinjatën ndaj presionit dhe terrorit që po ushtrohet ndaj Prokurorisë dhe Gjyqësorit. "Ngjarjet më të fundit tregojnë se Berisha është në krye të të gjitha skandaleve: ai është organizatori i Gërdecit; i vjedhjes qindra milionëshe në rrugën Durrës-Kukës; i çështjes Fazliç dhe i zhdukjes së Remzi Hoxhës", theksoi Gjinushi. Të gjitha këto çështje, sqaroi ai, nuk mund të zbardhen pa largimin e kësaj qeverie; pa dorëzimin e imunitetit e vënien para drejtësisë të protagonistit kryesor - të Sali Berishës dhe ky duhet të jetë roli i Kuvendit, opozitës dhe popullit në protestë. Socialdemokrati mendon se çështja Fazliç u tregon gjithë shqiptarëve se kjo qeveri dhe ky Kryeministër nuk u korruptuan gjatë qeverisjes, por kanë ardhur me një program të qartë korrupsioni. "Çështja Fazliç tregon se Berisha është i komanduar dhe vegël e strukturave dhe lobeve antishqiptare, i atyre lobeve që e detyruan t‘i shesë naftë Serbisë në 1996 e të pengojë marrëveshjen e Rambujesë", nënvizoi Gjinushi. PSD e thotë se me këtë qeveri nuk mund të bashkëpunohet më tej, në favor të demokracisë. "Çdo bashkëpunim është në dëm; nuk mund të bashkëpunohet në luftën ndaj krimit, sepse kjo qeveri është vetë pjellë dhe pjesë e krimit dhe korrupsionit", u shpreh Gjinushi. Sipas tij, e vetmja zgjidhje është largimi e vënia e Sali Berishës para drejtësisë për të sqaruar deri në fund pozicionin e tij në tërë këto afera.