Rama: Po bien kambanat e alarmit
Lideri i opozitës, Edi Rama, ju bashkua dje thirrjes së fortë të Bashkimit Evropian, në adresë të qeverisë së Shqipërisë. Për të respektuar, sipas tij, parimin e llogaridhënies përpara ligjit, pa ushtruar presion mbi njerëzit e ligjit. "Thirrja e fortë e Bashkimit Evropian, sot, është një tjetër kambanë që bie për Sali Berishën", tha Rama, teksa shtoi se kjo thirrje është një tjetër alarm për të gjithë qytetaret e qytetarët e këtij vendi, që duhet të jenë në front për të zmbrapsur dallgën e ngritur të presionit qeveritar ndaj njerëzve të ligjit. "Është një tjetër shprehje e faktit që Sali Berisha, për shkak të interesave ekskluzivisht personale e klanore, të lidhura me botën e përfitimeve të paligjshme, ka futur qeverinë e vendit, mazhorancën parlamentare të vendit, në një konflikt privat me Prokurorinë e Republikës", theksoi Rama. Ai nënvizoi se në vend që të ecnim përpara me reformën në drejtësi, si një rrugë e pashmangshme në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian dhe NATO, gjendemi në barrikadën për të zmbrapsur një fuqi që po del përditë e më shumë nga binarët e vetëkontrollit, "se nga binarët e Kushtetutës dhe ligjit u bë kohë që ka dalë dhe që kërcënon në mënyrë shumë të hapur dhe të rrezikshme integritetin e Prokurorisë së Republikës dhe sistemit të drejtësisë në vend, vijoi Rama. Kjo, këmbënguli ai, për shkak interesash private dhe në funksion të një konflikti privat. Ne, sot, po shohim një ndër shfaqjet më të turpshme që ka dhënë qysh në krye të herës kjo shumicë qeverisëse, që është kthyer në zyrë avokatie e një sekseri serb, i cili ka kthyer Kryeministrin e vendit në një sekser për aferat e tij, së bashku me klanin Berisha", konstatoi ai. Kryesocialisti vlerësoi se nuk ka shfaqje më të shëmtuar dhe më të trishtuar se sa kjo që po japin përditë zëdhënësit dhe përfaqësuesit e një mazhorance të lindur nga vullneti i popullit shqiptar për të luftuar korrupsionin dhe të katandisur në një trup avokatore, që mbron nga prokuroria dhe nga hetimi një sekser. Partia Socialiste i mëshon idesë se është koha për të nënvizuar edhe një herë vullnetin e palëkundur që t‘i japim fund kësaj serie shfaqjesh të shëmtuara, që t‘i japim fund kësaj mënyre qeverisjeje të vendit, që t‘i japim fund traditës së konfliktit me institucionet e pavarura dhe të hapim një faqe të re. Rama i bëri thirrje Kryeministrit të vendit që të tërhiqet pa humbur kohë dhe të mos lëvizë jashtë kufijve të detyrimeve të tij kushtetuese dhe ligjore, por të respektojë këtë shqetësim të madh të SHBA-së, BE-së, qytetareve e qytetarëve të këtij vendi. "Minimalisht të mbyllë gojën në raport me problemet e proceset që nuk kanë të bëjnë me detyra të tij kushtetuese e ligjore dhe maksimalisht ta hapë gojën përpara prokurorëve dhe të tregojë të gjitha ato që di, lidhur me gjithçka që sot është kthyer në shqetësim publik", kërkoi Rama. Ai premtoi hapjen e një faqeje të re, së bashku me qytetaret e qytetarët e këtij vendit. "Ata duhet të jenë të sigurt, se me fitoren tonë në zgjedhjet e ardhshme, do të mbyllet kapitulli i kësaj mënyre të të qeverisurit, i kësaj mënyre të uzurpimit dhe të shfrytëzimit të pushtetit, i kësaj mënyre të kalërimit mbi interesat e vendit dhe të njerëzve", insistoi Rama.
Vizita
Situata politike, Gjinushi takon Ramën
Edi Rama zhvilloi dje në orët e mesditës një takim me kreun e socialdemokratëve, Skënder Gjinushi. Ky i fundit ka mbërritur në selinë rozë pak momente, pasi ka komunikuar me median përmes një konference shtypi. Pas bisedës, të njëjtin veprim ka bërë edhe lideri i opozitës, Edi Rama. Burimet nga selia e partisë më të madhe të opozitës sqaruan se objekt i diskutimeve mes dy kryetarëve të partive të majta ka qenë situata e fundit politike. Gjinushi dhe Rama i kanë mëshuar idesë së konsolidimit të veprimit opozitar në Kuvend dhe jashtë tij në mbrojtje të pavarësisë së institucioneve kushtetuese. Në këtë linjë mësohet të jetë folur edhe për mënyrën se si do të reagojë opozita përmes aksionit të saj të koordinuar.
Vizita
Situata politike, Gjinushi takon Ramën
Edi Rama zhvilloi dje në orët e mesditës një takim me kreun e socialdemokratëve, Skënder Gjinushi. Ky i fundit ka mbërritur në selinë rozë pak momente, pasi ka komunikuar me median përmes një konference shtypi. Pas bisedës, të njëjtin veprim ka bërë edhe lideri i opozitës, Edi Rama. Burimet nga selia e partisë më të madhe të opozitës sqaruan se objekt i diskutimeve mes dy kryetarëve të partive të majta ka qenë situata e fundit politike. Gjinushi dhe Rama i kanë mëshuar idesë së konsolidimit të veprimit opozitar në Kuvend dhe jashtë tij në mbrojtje të pavarësisë së institucioneve kushtetuese. Në këtë linjë mësohet të jetë folur edhe për mënyrën se si do të reagojë opozita përmes aksionit të saj të koordinuar.